Arbëri

Muhaxhiri paralajmëron Qeverinë për aksionet në veri: Gjithçka mund të kthehet në pikën zero

Analisti Artan Muhaxhiri ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se veprimet e “pakoordinuara dhe të paplanifikuara” në veri mund të kthejnë gjithçka në pikën zero në raport me integrimin e serbëve.

I pyetur për aksionin e fundit të Qeverisë në veri ku u mbyllën pesë objekte të komunave paralele në katër komunat veriore, Muhaxhiri ka thënë se ajo pjesë e Kosovës është potencinal i jashtëzakonshëm për eskalim.

“Veriu është një potencial i jashtëzakonshëm për eskalim vazhdimisht dhe për këtë arsye prej vitit 1999 insistimi i aleatëve ka qenë që të ketë qasje më elegante, më diplomatike dhe më të ngadalshme sepse shumë lehtë mund të shkatërrohet një progres dhe shumë vështirë të arrihet të rikuperohet. Tensionet në Ballkan kanë lehtësi të jashtëzakonshme të eskalimit. Edhe brenda natës mund të dëmtohet ajo çka është arritur për vite”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, integrimi i serbëve nuk mund të bëhet në mënyrën si po mundohet ta bëjë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

“Gjërat në veri, integrimi i serbëve, nuk mund të bëhet në mënyrë të shpejtë, të pakoordinuar dhe të paplanifikuar. Marrëveshja e vetme në rastin e veriut duhet të jetë afatgjate - mes Kosovës, ndërkombëtarëve dhe Serbisë. Sepse deshëm apo s’deshëm, Serbia ka pushtet në veri. Ideja e Qeverisë për ta kthyer një normalitet në veri parimisht është e drejtë, e duhur, por në aspektin e realizimit duhet pasur shumë kujdes sepse jemi mësuar me bllokada nëpër rrugë. Dhe pastaj gjithë atë energji, mund të kthehet në pikën zero – siç mund të ndodh edhe tash”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Muhaxhiri u shpreh se kryeministri Kurti me veprimet e fundit në veri nuk mund të arrijë progres afatgjatë.

“Kurti i ka marrë këto vendime pakoordinim me ndërkombëtarët. Në momentin kur një vendim harmonizohet me ndërkombëtarët, edhe serbët mund ta kuptojnë që ka pasur bashkëpunim edhe me Beogradin – siç ka ndodhur me tabelat. Zgjidhja e vetme në veri duhet të jetë afatgjate. Ti mund të arrish progres, si marrja e katër komunave, por nuk është afatgjate sepse do të vijë momenti kur do të mbahen zgjedhjet dhe dihet rezultati nëse merr pjesë pakica serbe”, ka shtuar ai.

Një çështje që sipas Muhaxhirit do ta determinojë suksesin e idesë së kryeministrit Kurti për veriun do të jetë zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

“Një çështje e rëndësishme që do ta determinojë edhe suksesin e kësaj ideje të kryeministrit Kurti është rezultati i Listës së Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nëse Lista Serbe i merr mbi 90 për qind, prapë do të kthehemi në pikën zero. Nuk po e kuptoj këtë qasje të Qeverisë. Integrimi i serbëve në veri duhet të jetë organik”, ka deklaruar ai.

Më 30 gusht, Policia e Kosovës, nën dyshimin për lëshim të dokumenteve të falsifikuara, ka mbyllur 5 objekte të komunave paralele në katër komunat veriore. Të premten nga Policia e Kosovës u mbyllën zyra e Qarkut për Mitrovicë si dhe katër komunat paralele në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, të gjithë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ky veprim është dënuar nga faktori ndërkombëtar, duke e quajtur operacionin si “të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Më herët, janë mbyllur edhe zyra të tjera të komunave ilegale në qytete anembanë Kosovës.

Dje dhe sot, punëtorët e komunave paralele kanë protestuar para objekteve që janë marrë nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës.