Artan Muhaxhiri, analist politik, ka thënë se të gjitha masat në veri Kosova duhet t’i ndërmarrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, përndryshe ka kundërefekt.
Ai në “Interaktiv” ka theksuar se pa integrimin e serbëve në veri asnjë zgjidhje afatgjate nuk mund të bëhet.
“Kosova mund të bëjë çfarëdo në veri por çmimin e madh politik e paguan në Bruksel dhe Washington. Mund të ketë ndonjë fitim afatshkurtër për dëm afatgjatë. Pasojat mund të jenë në ashpërsimin e gjuhës së aleatëve ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Muhaxhiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka prishur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, e me SHBA-në pothuaj i ka ngrira raportet.
“Kurrë më keq nuk i kemi pasur raportet politike”, ka theksuar ai.
Sipas tij, në katër komunat veriore duhet të jenë kryetarët serbë sepse kryetarët shqiptarë nuk kanë legjitimitet.
“Nuk mund t’ua imponosh kryetarët dhe t’u thuash ky është realiteti i ri... Kosova nuk mund të ndikojë në Beograd, por munden Brukseli e Washingtoni dhe për këtë Kosova duhet të ketë raport të shkëlqyeshëm me to”.
Muhaxhiri ka treguar edhe se si mund të dalin partitë nga zgjedhje të reja. Ka thënë se pavarësisht ndryshimit, prapë VV-ja do të merrte më shumë vota. Siç ka thënë ai, opozita ende nuk ka treguar diçka që do ta përmbyste tërësisht një rezultat të përafërt me atë të zgjedhjeve të vitit 2021.
“Dallimi i 14 shkurtit 2021 ka qenë shumë i madh. Ekziston një erozion i votave por nuk është i madh. Nuk mund t’i humb 50% të votave në nivel qendror për një kohë kaq të shkurt. Kurti ka një bërthamë të konsiderueshme të militantëve, e ka edhe të njerëzve që kanë qenë kundër partive tjera. Nuk mund të jenë 50%, mund të jenë 30%. 20% mund të jetë përfshirë diasporën, dhe 10% që kanë preferenca. 30 për qind i ka të sigurta. Por, pjesa tjetër varet shumë prej opozitës”, ka thënë ai.