Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e pranoi disfatën politike të hënën pasi s’e hodhi në votim Albulena Haxhiun për t’u zgjedhur kryeparlamentare e Kuvendit.
Ai ka thënë në emisionin “60 Minuta” të KTV-së se Haxhiu nuk ishte opsion i mirë për VV-në, teksa shtoi se kjo është bërë me paramendim nga partia që i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Me Haxhiun, VV-ja i ka bërë dy gabime. E zhvlerësoi Haxhiun pasi është ministre e Drejtësisë, gruaja më e votuar në Kosovë. Nëse ajo në tri raunde nuk mund të marrë një shumicë të thjeshtë, flet keq për të...E dyta, ne njohim stilin politik të Haxhiut. Nuk është personalitet që mund të krijojë ura bashkëpunimi, është e ashpër, konfliktuoze...VV-ja e ka bërë me paramendim. Dëshironte të thellonte krizën, nëse do të vendoste Konjufcën, situata do të ishte tjetër. Ai ka treguar një qasje mbi partiake kë këto katër vjet”, ka thënë Muhaxhiri.
Ai u shpreh se kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar që s’mund të vazhdojë tutje pa kompromise.
“S’ka asnjë mundësi pa kompromis. Vetëvendosje dhe Kurti e kanë një tendencë që të shkojnë kundër realitetit, e pastaj në mënyrë brutale kthehen në realitet. Thirrjet për zgjedhje janë formale, pasi janë rënie. Pasi një parti që fiton zgjedhje merr përqindje të madhe e është e aftë për kompromise për 61 vota, atëherë kjo nuk flet aspak. Deshën të tregojnë diçka, po ju kthye bumerang”, ka thënë analisti politik.
Ai shtoi se kjo situatë është kundër Lëvizjes Vetëvendosje pasi Albin Kurti “është personi më i pushtetshëm në Kosovë”.
“Nëse situata është e bllokuar, fajin kryesor e njeriu që ka më së shumti vota. Ai e ka obligim që të kërkojë zgjidhje...”, shtoi ai.
...Nga fillimi është dashur të ketë kompromise. Ato janë të domosdoshme, ndonëse s’janë të kënaqshme. Çdo lider në botë do të donte të qeveriste vetë. Kurti dëshironte të qeveriste vetë, dështoi, e tash ka shumë punë”, ka shtuar ai.