Analisti politik, Artan Muhaxheri, ka deklaruar se qeveria e ardhshme që do të formohet rrezikon të jetë jetëshkurtër dhe jostabile, pasi sipas tij, rezultatet e tanishme të zgjedhjeve parlamentare s’kanë përcaktuar fituesin.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, se rezultati ka komplikuar situatën, pasi sipas tij, të dy palët mund të krijojnë qeverinë.
“Ky rezultat i komplikon gjërat në maksimum. Realisht të dy palët mund të formojnë Qeverinë. Vetëvendosje me pakicat e edhe partitë opozitare me pakicat. Kjo duhet të jetë rezultat që përfshin gatishmëri për kompromise, negociata dhe cila palë do të jetë më e aftë të bëjë kompromise që ta bëjë Qeverinë. Por tash janë elementë specifik. Lista Serbe do të jetë problemi kryesor nëse VV-ja tenton të bëjë qeverinë e vetme. Partitë e kanë përjashtuar mundësinë që të bëjnë koalicion me VV-në dhe kanë vija të kuqe”, ka thënë Muhaxheri.
Ai është shprehur se secila parti që synon të bëjë Qeverinë me VV-në, do të humbasë imazh pasi “Albin Kurti do të jetë dominues”.
“...Kthesa për të bashkëpunuar do të jetë e pamoralshme dhe do t’ia shihnin sherrin për zgjedhjet e tjera. Ekziston mundësia që partitë opozitare të bëjnë qeverinë vet nga presioni amerikan dhe i Bashkimit Evropian e nga obligimet që e presin Kosovën. Një Qeveri e tillë do të ishte jostabile, ishullore dhe e pasigurt pasi askush s’do të ketë mundësinë të ndikojë te dikasteret dhe do të ishte afatshkurtër”, është shprehur ai.
Sipas analistit politik, votat e diasporës, Lista Serbe dhe çështja e presidentit që duhet të zgjidhet në vitin e ardhshëm do të mund të ndryshojnë situatën e ekzekutivit të ardhshëm.
“Do të kemi një jostabilitet pasi këto katër vjet ka pasur një stabilitet për dallimin e madh të votave. Nëse VV-ja mbetet në opozitë, do të ishte pakrahasimisht më ë fuqishme, por për fat të keq do të përsëritej një VLAN 2.0, do të fillonin takimet mes liderëve të opozitës për ndarje të pushtetit. Por një gjë është e sigurt se gjithçka është në rrezik”, është shprehur Muhaxheri.
Sipas analistit, edhe çështja e administratës Trump do të ketë efekt në qeverisjen e ardhshme pasi tha se “është brutale në marrjen e vendimeve”.
“Për Kosovën kjo është tablo e zymtë për të ardhmen e afërt në Kosovë”, ka thënë ai.