Arbëri

Muaji rozë nis me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje. E drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurteshi, duke treguar për rastet në këtë klinikë, ka bërë thirrje për kontrolle të shpeshta

20 vjet më parë Nafije Latifi u diagnostikua me kancer të gjirit. Pavarësisht sfidave ajo ka arritur t’i mbijetojë kësaj sëmundjeje.

Të martën, me rastin e fillimit të muajit rozë mbi ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, Latifi, që tash drejton qendrën kosovare për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta/Vita”, ka folur për vështirësitë që ka pasur.

“Sfida ime me kancer të gjirit filloi para 20 vjetësh. Ishte rrëfimi i parë publik, sepse tema ishte tabu, ishte rrëfim me qëllim vetëdijesimin dhe informimin për sëmundjen dhe nevojën e kontrollit. Sot nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 450 gra me raste të reja. Por këto gra kanë fat, sepse sot në Kosovë është i mundshëm diagnostikimi dhe trajtimi  i kompletuar i kancerit të gjirit, edhe pse ka nevojë ende për përmirësim të kushteve”, ka thënë Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.  

“Sot jemi këtu për të hapur zyrtarisht fushatën kundër kancerit të gjirit. Një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për një sëmundje që prek mijëra gra çdo vit pa përjashtuar këtu edhe burra, por që me diagnostikim të hershëm mund të shërohet”, ka deklaruar Vitia. 

E drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurteshi, duke treguar për rastet në këtë klinikë, ka bërë thirrje për kontrolle të shpeshta.

“Në dy vjetët e fundit 52% të rasteve janë zbuluar në fazën e parë të kancerit. Derisa 3 vjet më herët 70% e femrave që kanë ardhur në Onkologji kanë qenë në fazë të avancuar të sëmundjes”, ka thënë ai.
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. 

Kanceri i gjirit është sëmundja me e shpeshtë te gratë, po prek edhe burrat. Çdo e teta grua në botë është e rrezikuar nga kjo sëmundje. 

Sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e parë të këtij viti janë shënuar mbi 300 raste të reja të kancerit të gjirit në Kosovë.