Që nga e shtuna, të gjitha qendrat e vaksinimit në Kosovë do të punojnë me orar 8-orësh, nga 7 e mëngjesit deri në orën 15:00. Vendimin e marrë, Ministria e Shëndetësisë e ka arsyetuar me numrin e vogël të kërkesave për vaksinim
Qytetarët që u drejtuan për vaksinim pas orës 15:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kalabri u kthyen pa mundur të vaksinoheshin.
Në hyrje të objektit ata priteshin nga sigurimi i qendrës për t’iu treguar se orari për vaksinim tashmë ka përfunduar.
Kjo erdhi pas një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë së premtes. Ky institucion vendimin e arsyetoi me faktin se ka kërkesa të vogla për vaksinim.
“Askush nuk mbetet pa u vaksinuar në Kosovë për shkak të orarit, sepse tashmë janë vaksinuar një shumicë e konsideruar dhe kërkesat janë shumë më të vogla. Kjo ka qenë e paraparë të ndodhë në kuadër të decentralizimit të procesit të vaksinimit në QKMF”, thuhet në arsyetimin e MSH-së.
Derisa, sipas MSH-së, ekipet mobile punojnë me të njëjtin orar, përpos në qendra tregtare, ku orari i vaksinimit mund të bëhet nga ora 12:00 deri në 20:00.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë administruar 1.390 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Nga rreziku i përhapjes së variantit Omicron, Kosova javë më parë ka marrë masa të reja, por që ua lejon bashkatdhetarëve të hyjnë në vend pa vaksina. Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar nga mërgimtarët që kur të vijnë në Kosovë të jenë të vaksinuar.
“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndoshë, me qenë shëndoshë këtu dhe të kthehen mbrapa shëndoshë. Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet, i marrim edhe masat përkatëse”, ka thënë ministri Latifi.
Latifi nuk e ka përjashtuar as mundësinë e mbylljes në rast të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
“Nëse secili prej nesh është i pakujdesshëm dhe nuk vaksinohemi natyrisht se jemi në rrezik të mbyllemi. Qëllimi nuk është të mbyllim ekonominë dhe shkollat, por duhet të mësohemi të jetojmë me COVID-in sikurse që jemi mësuar të jetojmë edhe me gripin”, ka theksuar ai.
Raporti 24-orësh i Ministrisë së Shëndetësisë njofton se nga testimi i 2 mijë e 142 mostrave, 16 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Derisa, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.