Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje që të tërhiqet trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, që është raportuar se është vrarë në Lloznicë më 19 korrik.
Më herët burime për KOHËN kanë thënë se bëhet fjalë për Faton Hajrizin.
MPJD-ja ka thënë se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, i mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi po kryejnë procedurat për tërheqjen e trupit nga morgu i Lloznicës dhe për ta sjellë atë në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë. Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë. Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, është njoftuar nga MPJD.
E avokati Koci në një postim në Facebook ka thënë se “misioni u krye me sukses”.
Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës. Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.