Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, të mërkurën pezulloi 40 vendime që ishin marrë nga ish-ministri Glauk Konjufca.
Këto vendime në bazë të numrit të referencës kanë të bëjnë me kthimin e diplomatëve që kanë gradë më të ulët se ambasadorë e konsuj, që janë në misione diplomatike më shumë se 4 vjet, raporton KOHA.
Ministrja Haradinaj-Stublla nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit për arsyet e pezullimit të vendimeve.
Përgjigje nuk ka kthyer as Zyra për informim e kësaj ministrie.
Por, në arsyetim të vendimit për pezullimin e kthimit të diplomatëve, që e ka siguruar KOHA, thuhet se shtyrja e hyrjes në fuqi të vendimeve në afat të pacaktuar është bërë për të rivlerësuar ligjshmërinë e vendimeve.
“Nga analizimi i vendimeve të pezulluara është vërejtur se janë nxjerrë vendime selektive, arbitrare dhe të njëanshme në shumicën e rasteve nga ministri paraprak i MPJD-së. Ndër të tjera në vendimet e pezulluara është e kontestueshme edhe ligjshmëria e tyre, e cila do të rivlerësohet nga komisioni i themeluar sipas ministres së MPJD-së, më datë 22.06.2020”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministrja Haradinaj.
Në arsyetim përmendet po ashtu se vendimet janë marrë në kohën kur Qeveria ishte në dorëheqje.
Por, Kreshnik Ahmeti, ish-shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, thotë se pezullimi i vendimeve po bëhet për pazare dhe për të sistemuar njerëz të afërt me partitë në koalicion.
Ahmeti thotë se vendimet e ish-ministrit Konjufca për rotacion të diplomatëve janë marrë pasi disa prej tyre kanë më shumë se 4 vjet në misione diplomatike, pa u kthyer për të shërbyer fare në Ministrinë e Jashtme.
Në fillim të marsit, ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, kishte marrë vendim për të kthyer nga misionet diplomatike 7 ambasadorë politikë, të cilët qëndronin jashtëligjshëm.
Por, kthimi i tyre në Kosovë ende nuk është dekretuar nga presidenti Hashim Thaçi.