Ministria e Punëve të Jashtme e ka korrigjuar rregulloren për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, e cila ishte kontestuar për shkak të pretendimeve se është në kundërshtim me ligjin përkatës. Veç adresimit të gabimeve “teknike” Ministria nuk është tërhequr nga rregullorja, edhe pse ka vendime të gjykatave që konstatojnë se ajo është në shpërputhje me Ligjin
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk është tërhequr nga Rregullorja për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministri, megjithëse ka aktgjykime të plotfuqishme që konstatojnë se ajo nuk është përputhje me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.
I fundit është vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili e ka konfirmuar verdiktin e Themelores në rastin e ish-Drejtorit të MPJD-së, Albert Prenkaj, të cilit me Rregulloren e re i ishte shuar pozita.
Apeli ka pasur objekt shqyrtimi ankesën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, i cili e kishte atakuar vendimin e Themelores në rastin e Prenkajt.
“Kolegji vlerëson se Gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejtë, duke e kthyer çështjen në rivendosje te e paditura. E njëjta, në riprocedurë duhet të shikojë drejtë dhe saktë gjendjen e faktike, si dhe të zbatojë të drejtën materiale, dhe në fund të nxjerrë vendim duke u mbështetur në dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në vendimin e Apelit.
Disa javë pas aktgjykimit të Apelit, Ministria e Jashtme i ka adresuar kërkesë Zyrës së Kryeministrit për t’i bërë disa përmirësime teknike në rregullore. Ndryshimet janë bërë në nenet, në të cilat në vend se të jetë Sekretari i Përgjithshëm për dy vjet teksti i është referuar Drejtorisë së Përgjithshme.
“Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Rajon janë: 1.1. Përgatit dokumente të nevojshme për hartimin, monitorimin dhe zbatimin e politikave ndaj shteteve të rajonit dhe organizatave/iniciativave rajonale, si memo informuese, memo veprimi, qëndrime, strategji, plane të punës, analiza dhe raporte të veçanta për nevoja të Departamentit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kabinetit të Ministrit”, shkruan në rregulloren e përmirësuar.
Në MPJD nuk kanë treguar se çfarë do të ndodhë në rastet kur për dy vjet janë nxjerrë vendime me gabimin “teknik” të rregullores.
Prenkaj, ish-ambasador i Kosovës në Romë, ka thënë se ndryshimet në rregullore janë përpjekje për mashtrim.
“Siç po vërehet nga Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, Rregullorja Nr.01/2022 nënshkruar nga Kryeministri Kurti është në shpërputhje me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Si e tillë, ajo është e jashtëligjshme e me të të gjitha vendimet e nxjerra nga autoritetet që dalin nga ky dokument, janë të jashtëligjshme. Pas nxjerrjes së Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ish-ud. Sekretar i Përgjithshëm ka dërguar në Zyrë të Kryeministrit një kërkesë në të cilën thuhet se është bërë një lëshim teknik ku në vend të drejtorit të përgjithshëm është shënuar sekretar i përgjithshëm. A nuk është kjo përpjekje për mashtrim?”, ka thënë Prenkaj. “Pres që KPMSHCK-ja, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të merr vendim meritorë i cili udhëzon MPJD-në të rikthejë pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të paraparë me Ligj. Jam suspenduar padrejtësisht dhe me argumente shpifëse dhe me insinuata, gjegjësisht jam larguar nga Shërbimi i Jashtëm pas rrëzimit të rregullores nga Gjykata Themelore e Prishtinës”.
Rregullorja ishte kundërshtuar nga Shoqata Sindikale e MPJD-së, e cila pati e akuzuar menaxhmentin se nëpërmjet saj shumë diplomatëve u janë ndërruar pozitat apo janë përjashtuar nga shërbimi i jashtëm.
Në MPJD janë arsyetuar se Rregullorja i ka kaluar të gjitha procedurat e verifikimeve të ligjshmërisë dhe se i ka marrë të gjitha miratimet paraprake nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave si dhe në fund, para nënshkrimit nga ana e Kryeministrit, është verifikuar ligjshmëria edhe nga Zyra Ligjore e Kryeministrit.
Ministria e Punëve të Brendshme pati themeluar Komisionin e ristrukturimit i cili ka bërë propozimet përkatëse për secilin pozitë që është ndryshuar apo është shuar. Dyfishimi i pozitave ishte paraqitur pas bashkimit të dy ministrive – asaj të Jashtme dhe të Diasporës – ku ka pasur pozita drejtuese në Departamente të cilat kanë pasur drejtor/udhëheqës me aktemërim.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Administratën Shtetërore, sipas MPJD-së ishte shfuqizuar Ligji paraprak dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj.
Ligji i ri për Administratën Shtetërore ka përcaktuar vetëm këto nivele të organizimit të brendshëm të Ministrive: sekretari i përgjithshëm; departamentet, dhe divizionet.
“Pra ky ligj nuk ka përcaktuar mundësinë e krijimit të strukturave të tjera siç është rasti me ‘Drejtorinë e Përgjithshme’”, patën deklaruar në MPJD.
Ministria e Jashtme prej vjetësh ka paralajmëruar ndryshimin e Ligjit përkatës dhe disa herë ishte përfshirë në agjendën legjislative por që deri tash nuk është proceduar për votim në qeveri.