Me ndryshimet që synon t’i bëjë Ministria e Punëve të Jashtme përmes rregullores së re, do t’u rriten të hyrat anëtarëve të shërbimit të jashtëm. Derisa me rregulloren në fuqi, në emër të kompleksitetit, rrezikshmërisë dhe kushteve klimatike, diplomati mund të kompensohet deri në 20 për qind të pagës bazë, me rregulloren e re kjo do të rritet në 50 për qind
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është në proces të ndryshimit të rregullores për kompensimin e diplomatëve, e cila ia lejon ministrit t’u japë shtesa atyre deri në 50 për qind të pagës bazë.
Sipas rregullores për kompensimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm që ushtrojnë detyrën jashtë vendit dhe kompensimin e shpenzimeve operacionale, rritja mund të bëhet në emër të kompleksitetit, rrezikshmërisë dhe kushteve klimatike dhe shëndetësore për misionin e caktuar.
“Lartësia e kompensimit në emër të kompleksitetit, rrezikshmërisë dhe kushteve klimatike dhe shëndetësore për misionin e caktuar është përqindja e pagës bazë, e cila caktohet me vendim të ministrit, në bazë të vlerësimeve të brendshme të Ministrisë dhe në përputhje me mundësitë buxhetore të Ministrisë, mund të jetë deri në pesëdhjetë për qind (50%) e pagës bazë të diplomatit për një ose më shumë kritere së bashku të përcaktuara me këtë nen”, shkruan në nenin 6 të draftrregullores, që ka dalë në konsultim publik.
Sipas rregullores aktuale, lartësia e kompensimit nuk mund të jetë më shumë se 20 për qind e pagës bazë.
“Lartësia e kompensimit në emër të kompleksitetit, rrezikshmërisë dhe kushteve klimatike dhe shëndetësore është përqindja e pagës bazë, e cila caktohet me vendim të ministrit, në bazë të vlerësimeve të brendshme të Ministrisë dhe në përputhje me mundësitë buxhetore të Ministrisë, por jo më shumë se njëzet për qind (20%) e pagës bazë për të tria kriteret së bashku”, thotë rregullorja.
Ndryshimet janë bërë edhe në shpenzimet e parapara për familjarët që shoqërojnë diplomatin. Derisa me rregulloren aktuale kompensimi përcaktohet me përqindje, duke nisur nga 10 për qind të pagës mujore për fëmijën e parë, tani kjo specifikohet me shumën e parave. Kësisoj, për anëtarin e parë të familjes që e shoqëron diplomatin në mision jashtë vendit me kompensim prej 100 euro shumëzuar me indeksin e kostos jetësore për vendin pritës. Për anëtarin e dytë 70 euro, kurse për anëtarët e tjerë 50 euro.
Kostoja e jetesës është vlera monetare e standardit të jetesës, përllogaritur nga burime zyrtare financiare ndërkombëtare, e cila përveç̧ kostos së shpenzimeve ditore si: shpenzimet e shportës familjare, shpenzimet e aktiviteteve sociale, shpenzimet e transportit, shpenzime të tjera të aktivitetit jetësor të përditshëm, përmban edhe kriteret shtesë të kompleksitetit të misionit, rrezikshmërisë, kushteve klimatike dhe shëndetësore dhe distancës gjeografike.
Ministria, mbulon edhe shpenzimet e udhëtimit të diplomatit dhe anëtarëve të ngushtë të familjes, të cilët e shoqërojnë diplomatin në mision për në atdhe dhe anasjelltas dy herë brenda mandatit katër vjeçar.
Të hyrat e diplomatëve ishin rritur pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagat e zyrtarëve publikë pas të cilit MPJD-ja pati ndryshuar edhe rregulloren. Por në vitin 2023 Gjykata Kushtetuese i shpalli të pavlefshëm paragrafët mbi bazën e të cilëve ishin ulur pagat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm.
Sipas Ligjit për Paga, koeficienti për pozitën e ambasadorit është 12.8, që i bie se paga e tij është 1 mijë e 344 euro. Por, kjo pagë shumëfishohet kur hyjnë edhe shtesat e tjera, të cilat u përfshinë në rregulloren e MPJD-së pas miratimit të Ligjit për Paga.
Mbështetur në listën e pagave të shefave të misioneve dhe konsujve të përgjithshëm, të cilën e pati vënë në dispozicion MPJD-ja, në fillim të këtij viti, më i paguari del të jetë konsulli i përgjithshëm në Nju-Jork, Blerim Reka. Paga e tij mujore, përfshirë të gjitha shpenzimet e llogaritura, është 6 mijë e 609 euro bruto.
Pas tij më i paguari është ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, me pagë mujore prej 5 mijë e 798 eurosh. Paga mbi pesëmijë euro marrin edhe ambasadorët e akredituar në Paris, Bernë, Kambera dhe Otavë. Sipas listës së pagave, konsulli i përgjithshëm në Strugë, Agim Krasniqi, del të jetë me pagën me të ulët – 1 mijë e 328 euro.
Por jo të gjithë fëmijët e diplomatëve marrin shtesa të njëjta, pasi kjo ndërlidhet me koeficientet e pagave. Fëmijët e diplomatëve me grada më të ulëta i bie të marrin më pak shtesa.
Ministri në misionin diplomatik e ka koeficientin 10.4, ndërsa paga e tij është 1 mijë e 92 euro. Kurse ministri këshilltar me koeficient 9.8 i bie të marrë pagë prej 1 mijë e 29 eurosh.