Arbëri

MPJD-ja ndërpret kontratën me operatorin për shërbimet postare diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD)

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se e ka ndërprerë kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike. Vendimin e ka arsyetuar me “vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve”.

Sipas një njoftimi të MPJD-së në Facebook të premten në mbrëmje, dokumentet janë vonuar për të mbërritur në destinacionet e caktuara, por se nuk kanë humbur.

“Në lidhje me raportimet e mediave rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, njoftojmë opinionin publik se operatori ekonomik i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve. Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së që erdhi pas raportimeve në media. 

MPJD-ja ka thënë se pajisja me dokumente do të përshpejtohet. Ajo ka deklaruar se nuk do të ketë tolerime për “operatorët që cenojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve”.

Për rastin ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka akuzuar pushtetin “për paaftësi të thellë dhe dështime të njëpasnjëshme”.

“Përveçse nuk i ka sjellë Kosovës asnjë njohje të re apo anëtarësim ndërkombëtar, nuk arrin të menaxhojë asnjë proces kaq të thjeshtë siç është posta diplomatike. Keqmenaxhimi dhe mungesa e kompetencës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas raportimeve të mediave ka çuar në humbjen e 400 pasaportave të mërgimtarëve, mbi 160 letërnjoftimeve dhe vendimeve për shtetësinë. Me taksat e qytetarëve, MPJD paguan çmime të larta për dërgesat diplomatike, gjashtë herë mbi çmimin e tregut, por përsëri dështon, ashtu si në çdo proces tjetër. Kjo Ministri e cila i ka lënë fajin operatorit ekonomik për këtë skandal, ka për obligim që të sqarohet për këtë”, thuhet në reagim.