Arbëri

MPJD-ja me “grup të veçantë ad hoc për Shërbimin e Jashtëm”, hap konkurs

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës synon krijimin e një “grupi të veçantë ad hoc” për Shërbimin e Jashtëm, në të cilin do të punësohen zyrtarë me njohuri bazike pa ua kërkuar përvojën e mëparshme të punës. Në MPJD e kanë arsyetuar thirrjen për punësimin e 25 zyrtarëve me specifika konkrete që lidhen me njohuritë e gjuhëve të huaja, pa treguar nëse zyrtarët aktualë që kanë këto njohuri tashmë janë sistemuar brenda MPJD-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në proces rekrutimi të 25 zyrtarëve të rinj, sistemimin e të cilëve e parasheh në kuadër të një “Grupi të Veçantë ad hoc për Shërbimin e Jashtëm”. 
Thirrja e hapur më 3 shtator bëhet në vitin e fundit të qeverisjes dhe pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të reja. 

Te përshkrimi i përgjithshëm i punës thuhet se kjo klasë e zyrtarëve përfshin pozita për realizimin e detyrave, për të cilat nevojiten “njohuri bazike nga fusha përkatëse e arsimimit apo shprehi që merren zakonisht me arsimim të mesëm”. 

“Detyrat caktohen nga eprori ose një zyrtar i vjetër me përvojë, së bashku me udhëzime të qarta, të detajuara, kryerja e të cilave kërkon që t’u jepet zgjidhje problemeve të thjeshta. Puna që kryhet në këto pozita është përgjithësisht me detyra rutinë brenda një funksioni, për përmbushjen e të cilave nuk kërkohet përvojë e mëparshme pune”, thuhet në konkurs.

Në MPJD kanë thënë se konkursi për zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm është i paraparë me planin e punës së Njësisë së Burimeve Njerëzore, të bërë në janar të vitit 2024.

“Konkursi për pozita të parapara është shpallur edhe më herët, i ndarë në specifika konkrete që lidhen me njohurinë e gjuhëve të huaja, por që nuk është përfunduar me sukses si proces, pasi në disa raste nuk janë plotësuar kriteret e konkursit e në disa të tjera nuk ka kaluar asnjë testim me shkrim. Konkursi i shpallur ka bazë ligjore në Ligjin për Zyrtarë Publikë, Rregulloren për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil (plotësim-ndryshimin e rregullores), si dhe Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.  

Në MPJD nuk treguan nëse thirrjes i ka paraprirë sistemimi i të gjithë zyrtarëve në Shërbimin e Jashtëm, pas integrimit të Ministrisë së Diasporës. 

Ky proces ishte shoqëruar me pakënaqësi të shumta, për të cilat “KOHA” ka raportuar në vazhdimësi.