Arbëri

MPJD-ja ka informata vetëm për njërin nga dy të arrestuarit e fundit në Serbi

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka realizuar një vizitë te një shtetas i Kosovës në Serbi, që është në paraburgim nën dyshime për krime lufte, disa ditë pasi nga Ministria e Punëve të Jashtme thanë se deklaratat e organeve serbe për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së mund të jenë fabrikime. Derisa për njërin të paraburgosur janë shpalosur informata, institucionet e Kosovës nuk kanë informata që ndërlidhen me njoftimet për arrestimin e personit me inicialet F.K. Këta janë të arrestuarit e fundit, ndërkohë disa shtetas të tjerë të Kosovës tash një kohë po mbahen në paraburgim në Serbi

Serbia ka refuzuar t’i japë informacione Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës lidhur me personin me inicialet F.K., për të cilin ka njoftuar se është arrestuar më 3 korrik nën dyshimet për krime lufte si ish-pjesëtar i UÇK-së.

E, një javë pasi nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thanë për KOHËN se kanë dyshime që organet serbe i kanë fabrikuar informatat për arrestimin e dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ambasadori Jetish Jashari, sipas MPJD-së, e ka vizituar njërin prej shtetasve, i cili është nën masën e paraburgimit prej 30 ditësh. 

“Ndërsa sa i përket arrestimit të dytë, të personit i cili fillimisht ishte identifikuar me inicialet M.I., i arrestuar më 12 tetor 2024, në kufirin Hungari –Serbi, në Horgosh, ju njoftojmë se bëhet fjalë për z. Muhamet Ismaili, me origjinë nga Gjilani, por i cili që nga viti 1999 jeton në Gjermani. Me këtë rast, z. Ismaili ka konfirmuar të jetë arrestuar më 12 tetor 2024, rreth orës 6 të mëngjesit, në vendkalimin kufitar në Horgosh”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD-ja në një përgjigje për KOHËN ka thënë se Muhamet Ismaili në takimin që ka pasur me Jetishin nuk ka komunikuar në gjuhën shqipe, por në serbisht.

“Z. Ismaili me atë rast ka qenë duke udhëtuar me familjen e tij (bashkëshorten dhe fëmijët e tij). Duhet të theksohet se z. Muhamet Ismaili ka deklaruar se është i etnicitetit rom dhe nuk e njeh gjuhën shqipe. Gjatë vizitës, ambasadori Jashari ka komunikuar me të në gjuhën serbe”, thuhet tutje në përgjigjen e MPJD-së.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, flet në konferenca për media zakonisht kur arrestohen shtetasit e Kosovës nën dyshime për krime lufte, e edhe shpesh i shpalos emrat e të arrestuarve.

MUP-i i Serbisë e edhe prokurori i Shtetit për Krime Lufte lëshuan komunikata, por nuk i shpalosën identitetet e M.I. dhe F.K.

Lidhur me Ismailin, MUP-i i Serbisë në komunikatën që e pati lëshuar pretendon se ai është arrestuar se ishte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Personit me inicialet M.I. iu hoq liria shkaku i dyshimit të bazuar se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile ashtu që në qershor 1999, në Prishtinë, bashkë me pjesëtarë të shumtë të të ashtuquajturës ‘UÇK’, përmes përdorimit të dhunës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimit ndaj jetës dhe trupit, ka rrëmbyer bashkëshortë të nacionalitetit serb duke i dërguar në burg të improvizuar ku ka kryer keqtrajtimin psikologjik dhe fizik”, thuhej në njoftimin e MUP-it serb më 12 tetor.

Prokurori i Shtetit për Krime Lufte dhe Gjykata e Lartë në Beograd që ka departamentin e veçantë për krime lufte në kuadër të saj nuk kanë dhënë informata.

Të pyetur lidhur arrestimet e Muhamet Ismailit dhe personit tjetër me inicialet F.K., nga Prokuroria e Serbisë kanë thënë se “rasti është duke u hetuar, andaj nuk është i hapur për publikun”.

Për të, MPJD-ja nuk ka ende asnjë përgjigje e as konfirmim zyrtar nga organet serbe. Mungesa e informatave lidhur me të është ngritur vazhdimisht si çështje edhe me delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe me misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it.

Në Serbi po mbahen edhe disa shtetas të tjerë të Kosovës, të arrestuar më herët.