Ministria e Punëve të Jashtme e ka dënuar deklaratën e Serbisë lidhur me memorandumin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për aleancë ushtarake.
MPJD-ja ka thënë se deklarata e Serbisë - e cila e quajti “provokim” marrëveshjen dhe se do t’u dërgojë kërkesë urgjente ministrave të jashtëm të Kroacisë e Shqipërisë për t’u kërkuar shpjegim të detajuar lidhur me këtë – nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por përbën edhe shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit.
“Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë së Jashtme, Serbia përpiqet të paraqitet si fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor.
“Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera”, thuhet tutje në reagim.
Tutje thuhet se Serbia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë në rajon.
“Për më tepër, pretendimi i Serbisë për neutralitet është hipokrizi, duke marrë parasysh marrëdhëniet e saj të thelluara politike dhe ushtarake me regjime autoritare si Rusia dhe Irani—të gjitha shtete që përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë rajonale dhe globale. Ndërsa bota demokratike qëndron e bashkuar kundër agresionit, Serbia vazhdon të rreshtohet me vende jodemokratike që punojnë aktivisht kundër stabilitetit në Evropë dhe më gjerë. Në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon—duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”, është thënë tutje në reagim.