Arbëri

MPJD-ja humb rreth 100 mijë euro në pesë procese gjyqësore ndaj një diplomati në Gjermani

Ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në Frankfurt, Miftar Dragidella, ka thënë se ka fituar pesë procese gjyqësore me Ministrinë e Punëve të Jashtme në gjykata në Gjermani. Sipas tij, dëmi financiar që e ka pësuar Ministria është rreth 100 mijë euro, ndërsa dokumentet që ka vënë në dispozicion konfirmojnë se zyrtarë qeveritarë kanë dhënë edhe deklarata të rrejshme nën betim para gjykatës gjermane

Rreth 100 mijë euro është shuma e mjeteve që Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) i ka humbur në pesë procese gjyqësore me shtetin e Gjermanisë.

Krahas për shpenzime të gjykatës, shumica e këtyre mjeteve kanë shkuar në llogarinë e shoferit të Konsullatës së Kosovës në Frankfurt, Miftar Dragidella, i cili ka pretenduar se i është shkëputur pa të drejtë kontrata e punës nga konsulli Gëzim Gashi, në vitin 2021.

Tek e ka vënë në dispozicion dokumentacionin për rastin e tij, Dragidella ka thënë se përveç kompensimit material ka pasur edhe tentim për mashtrim gjatë procesit gjyqësor nga ana e zyrtarëve të MPJD-së.

Së fundi shteti i Kosovës, i përfaqësuar nga MPJD-ja, nëpërmjet një zyre të avokaturës në Gjermani ka pretenduar se ka të drejtë në kontestimin e një vendimi të kësaj gjykate, i marrë në mungesë gjatë vitit 2018 dhe i përmbaruar në vitin 2020. Por MPJD-ja, e cila u pati dënuar për këtë rast, e ka tërhequr ankesën.

Një proces gjyqësor qe planifikuar që të mbahej më 13 gusht të këtij viti, por pasi që është konstatuar se deklarata nën betim e zëvendësuesit të sekretarit, Behar Isma, është e pavërtetë, gjykimi nuk është mbajtur fare. 

Dokumentet kanë konfirmuar se Isma ka pretenduar rrejshëm që nuk kanë shkuar në adresë të MPJD-së vendimet për rastin Dragidellës, nëpërmjet një letre të cilën ia ka nënshkruar dikush tjetër.

“Gënjeshtër është edhe pretendimi i të pandehurit se kjo kërkesë përmbarimore është marrë tek ajo më 10 janar 2024. Pra, deklarata e 24 janarit 2024 e paraqitur nga i pandehuri është pa dyshim e rreme dhe e dënueshme. Deklarata e datës 24 janar 2024, e dorëzuar nga i pandehuri, është nënshkruar edhe me shtesën shqip: ‘për’. Shtesa do të thotë: ‘në emër të’. Për rrjedhojë, dëshmia nuk është nënshkruar nga deklaruesi, z. Behar Isma. Nënshkrimi në deklaratën në betim të paraqitur nuk është gjithashtu nënshkrimi i z. Behar Isma. Për këtë arsye janë plotësuar dukshëm kushtet për mashtrim të procesit”, është theksuar në dokumentin për të cilin Dragidella ka thënë se e ka konstatuar edhe gjykata.

E Isma i ka shkruar gjykatës gjermanes se vendimi asnjëherë nuk ka shkuar në adresë të Ministrisë.

“Me kërkesën për ekzekutim, të datës 28 dhjetor 2023, jemi njoftuar se Republika e Kosovës është dënuar me vendim në mungesë nga Gjykata e Punës në Frankfurt am Main nga viti 2019 (data e saktë është e panjohur). Nr. i dosjes 23 Ca 1384/18, në procedurën kundër z. Miftar Dragidella. Kërkesa për ekzekutim ka arritur tek më 10 janar 2024. Vendimi në mungesë nuk na është dorëzuar me postë. Një verifikim pranë zyrës sonë të postës kompetente ka konfirmuar se nuk është regjistruar asnjë dërgesë që lidhet me këtë rast”, shkruan në deklaratën nën betim të Ismës, por e cila nuk është nënshkruar nga vetë ai.

Por Dragidella ka thënë se në këtë rast e ka marrë kompensimin material nga ministria me përmbarues.

“MPJD kanë angazhuar një zyrë avokature dhe i kanë kërkuar që Isma të japë deklaratë nën betim se gjoja nuk e kanë marrë vendimin edhe pse ai është bërë i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm Ai e jep betimin ku thotë se nuk e ka pranuar. Por, unë dëshmoj se ai vendim është pranuar, është ekzekutuar dhe i kam marrë mjetet prej shtetit. Pasi gjykata e konstaton se ka qenë mashtrim këta e tërheqin lëndën”, ka thënë ai.

Dragidella ka theksuar se nga puna është larguar pas përplasjes që e ka pasur me shefin e Konsullatës, Gëzim Gashi. Edhe pse me detyrë shofer, ai ka thënë se Konsullata e ka ngarkuar edhe me detyra të tjera.

“Pasi më është ndërruar paswordi i emailit dhe kanë vendosur të më largojnë nga puna, kam shkuar në zyrën e konsullit. E kam bërë një gabim, në bisedë e sipër, e kam shqelmuar shtëpizën e kompjuterit dhe ka pësuar një krisje. Ai është rregulluar, por më pas më është veshur akuza se e kam marrë hard-diskun e gjëra tjera”, ka thënë Dragidella. 

Dragidella ka thënë po ashtu se deklarimin e rrejshëm të zëvendëssekretarit e ka denoncuar në Prokurorinë Themelore në Prishtine. Denoncim ka bërë edhe ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe ndaj ambasadorit të Gjermanisë, Faruk Ajeti, për “moslajmërim të veprës penale”.

E, në Ministrinë e Jashtme kanë thënë se Ambasada në Gjermani si dhe akterët e përfshirë në këtë rast janë duke i përgatitur përgjigjet dhe do t’i përcjellin gjatë ditës. Por ato nuk janë përcjellë gjatë të premtes.