Arbëri

MPJ-ja s’mund ta arsyetojë shpenzimin e 68 mijë eurove, Auditori do sqarim nga Pacolli, Berisha e Zyberaj

Në prill të këtij viti, Auditori Gjeneral kishte ngritur pikëpyetje në Ministrinë e Jashtme për shpenzimet që ishin bërë me kartën e kreditit të këtij institucioni në vitin 2018.

Deri atëherë, pesë zyrtarë të lartë të kësaj ministrie nuk kishin arritur të arsyetonin shpenzimet në vlerë prej 68 mijë eurosh.

Në një komunikim të brendshëm të MPJ-së, të cilin e ka siguruar KTV-ja, ishte kërkuar që të sqaroheshin shpenzimet e ministrin Behgjet Pacolli, këshilltarit të tij, Jetlir Zyberaj, si dhe zv/ministrave Anton Berisha, Rejhan Vuniqi dhe Besnik Hoti.

Aty thuhet se këto karta krediti nuk ishin mbyllur për vitin 2018, për shkak të raportimeve me vonesë ose për faktin që nuk ka pasur raportim fare.

Në bazë të dokumentit që ka siguruar KTV-ja, ministri Behgjet Pacolli kishte shpenzuar 8.360 euro në tetor 2018, dhe 22.753 euro për nëntor 2018, që në total të paarsyetura janë 31.113 euro.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Jashtme thotë se kjo shumë e shpenzuar është për disa muaj, por pa e saktësuar periudhën kohore.

Kjo ministri thotë se shpenzimet në emër të ministrit Behgjet Pacolli nuk janë individuale, por edhe të delegacioneve të ndryshme të këtij dikasteri.

“E para, këto shpenzime, të cilat ju i keni theksuar, nuk janë shpenzime individuale por grupore, respektivisht të delegacioneve të përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Jashtme. E dyta, këto shpenzime nuk janë shpenzime për një periudhë të caktuar njëmujore, por janë në periudha të ndryshme. E treta, që është me rëndësi të theksohet po ashtu për këtë çështje, ka të bëjë me faktin se të gjitha këto shpenzime janë sqaruar para auditorit dhe departamentit të financave të MPJ-së, si dhe të gjitha janë arsyetuar sipas procedurave”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Zv.ministrit Anton Berisha i janë kërkuar sqarime për 14.747 euro të shpenzuara në shtator 2018 dhe 3.749 euro në tetor 2018, ose në total 18.497 euro.

Berisha i ka thënë KTV-së se këto shpenzime nuk janë vetëm të tijat, por janë bërë pagesa edhe për delegacione dhe vizita të ndryshme.

Anton Berisha / Zëvendësministër i Jashtëm

Karta e kreditit

18.497.41 euro.

Berisha ka mohuar se ka shpenzuar shumën e 18 mijë eurove përmes kartës së kreditit.

Gati sa zv/ministri Berisha ka shpenzuar edhe këshilltari i ministrit Pacolli, Jetlir Zyberi. Ai nuk ka mundur të arsyetojë shpenzimin e 15.990 eurove.

Ndërkohë, sqarime për zëvendësministren Rejhan Vuniqi janë kërkuar për shpenzimin e mbi 1 mijë 900 eurove, kurse për zëvendësministrin tjetër, Besnik Hoti, për 214 euro.

Rejhan Vuniqi / Zv.ministre e Jashtme

Karta e kreditit

1.912.43 euro

Sipas Ministrisë së Jashtme, këto shpenzime janë në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi.

Zyra e Auditorit Kombëtar ende nuk e ka publikuar raportin për Ministrinë e Jashtme.