Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dërguar kërkesë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, për të konfirmuar arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës nga Serbia, për të cilin rast kanë raportuar mediat lokale në Podujevë.
Nga MPJD-ja është bërë e ditur se kanë kërkuar edhe detaje të tjera për konfirmim të rastit, përfshirë identitetin e personave të arresuar dhe lokacionin se ku janë duke u mbajtur ata.
Madje, tutje është thënë se për këtë rast janë njoftuar edhe vendet e QUINT-it.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur. Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Beograd”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.