Arbëri

MPJ: Gjykata në Shkup ka vendosur kundër ekstradimit të ish-ushtarit të UÇK-së

Ramadani

Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. 

Ministria ka thënë se Ramadani do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit tonë, z. Blerim Ramadani. Rikujtojmë se më 17 korrik 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë/Glloboqicë, është ndaluar shtetasi ynë, z. Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i UÇK-së, në bazë të një fletëarresti të Serbisë të lëshuar rishtazi nga INTERPOL. Z. Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Blerim Ramadani në bazë fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar në Interpol nga Serbia u arrestua më 17 korrik në vendkalimin kufitar të Jazhincës. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani në cilësinë e ish-ushtarit të UÇK-së ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, gjatë vizitës në pikën kufitare të Tabanocit më 25 korrik kërkoi nga autoritet e Shkupit ta ekstradonin Ramadanin në Serbi. Çështja e ekstradimit të Ramadanit u hap edhe  gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup. Ai ka thënë se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë për tendencë në prishjen e raporteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. 

Më 1 gusht, Ramadanit i ishte ndryshuar masa nga “paraburgimi” në “arrest shtëpie” nga një gjykatë e Maqedonisë së Veriut, dhe ai u vendos në një adresë në Shkup, sipas vendimit. Me këtë vendim parashihet që ai të qëndrojë në “arrest shtëpie” deri më 16 gusht. 

Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut mbi bazën e fletarresteve serbe. Ishin arrestuar Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina, por me vendim të gjykatës ishin lënë të lirë.