Njohës të çështjeve politike në vend e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me qasjen ndaj njëri-tjetrit gjatë shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Ata kanë thënë se mostakimi ndërmjet dy kryeministrave është i patolerueshëm e i pafalshëm. Por që sipas tyre, marrëdhënia që dy kryeministrat kanë mes tyre nuk ndikon te qytetarët.
Ish-konsulli i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë për Ekonomia Online se ky protagonizëm i shfaqur i të dy kryeministrave është i pafalshëm.
“Kryeministri Edi Rama ka qenë në Kosovë me 10 qershor që simbolik tjetër përpos periudhës kur është çliruar Kosova, 25 vjetori i çlirimit është edhe shënimi i ditës së Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Lidhja shqiptare e Prizrenit ka përbashkuar të gjithë shqiptarë që kanë influencuar atëherë kanë pasur pozita të rëndësishme të gjithë shqiptare gjithandej të trojeve shqiptare drejt mbrojtës se kauzave shqiptare. Në atë ditë, për mua është e papranueshme dhe nuk dua të hedh këtu fajësi vetëm te njëri apo të tjetri kryeministër, po përderisa ai ka qenë në Kosovë, nikoqiri është kryeministri ynë Albin Kurti. Atëherë për mua është e papranueshme që gjithë ky protagonizëm i dyanshme i dy kryeministrave tonë është i pa falshëm”, ka thënë ai.
Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Kurti nuk është takuar me kryeministrin shqiptar, por që sipas tij, ky është një gabim i madh që Kurti e ka bërë vazhdimësi në raport me kryeministrin Rama.
“Nuk është rasti parë që kryeministri Kurti nuk e pret kryeministrin Rama dhe mendoj se është një gabim jashtëzakonisht i madh që Kurti në vazhdimësi e ka bërë në raport me kryeministrin Rama. Kjo natyrisht që i acaron marrëdhëniet mes dy kryeministrave se popujt ose vendet tona nuk munde t’i prish askush. Por që kryeministrat mes veti nuk i kanë marrëdhëniet e mira dhe kjo nuk është pasqyrë e mirë as për ndërkombëtarët që na kanë ndihmuar dhe as për vetë qytetarët e dy vendeve sepse dy kryeministrat po refuzohen të takohen ose po të vjen mysafiri në shtëpi dhe ti nuk po e pret. Ti e bënë përzgjedhjen diçka tjetër që është më pak e rëndësishëm se sa pritja e kryeministrit të Shqipërisë i cili po të vjen në vizitë në shtëpinë tënde”, ka thënë ai./ EkonomiaOnline