Arbëri

Mosngritja e aktakuzës për rastin Banjska, Zekaj më shumë e fajëson Qeverinë sesa Prokurorinë

Zekaj

Juristi Yll Zekaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat përgjatë mandatit të tyre nuk janë munduar të gjejnë bashkëpunim me sistemin e drejtësisë, veç sulmeve që kanë shkëmbyer.

Ai e ka fajësuar më shumë Qeverinë se prokurorët për mënyrën si po trajtohet rasti Banjska pasi ka thënë se kjo Qeveri vetë e ka zgjatur afatin e hetimit nga Prokuroria në tri vjet dhe se rasti si i tillë është më i ndërlikuari që nga paslufta.

Zekaj ka thënë se shumë prova lidhur me rastin janë dërguar jashtë vendit për shkak të mungesës së laboratorëve dhe resurseve njerëzore. E, sipas tij, këto prova nuk shkojnë nga ana e Prokurorisë “pa bashkëpunim me Qeverinë”. “Këto informata medoemos i ka Kurti”.

“Ajo që kemi pa tash e katër vjet ka qenë një polarizim i skajshëm mes Qeverisë dhe bartësve të sistemit të drejtësisë, një luftë e pakompromis mes këtyre dy institucioneve ku nuk janë kursyer as normat kushtetuese të ndarjes së pushteteve... Nëse e analizojmë retorikën e Kurtit në rastin e Banjskës na del që jo më pak fajtor është vetë kryeministri, përkatësisht Qeveria, për rastin Banjska dhe trajtimin e rastit sesa prokurorët e rastit. Nuk i fajësoj prokurorët e rastit sepse kemi të bëjmë me rastin më të ndërlikuar që nga paslufta”, ka theksuar ai.

“Nuk mund të kërkojmë nguti nga Prokuroria Speciale për shkak të tekeve dhe retorikës së kryeministrit që ia numëron muajt çdo ditë e çdo orë”.


Sopi: Qysh në vitin e parë, Kurti e ka kuptuar se ka sajuar qeveri me mbeturina të PDK-së

Opinionisti Agim Sopi thotë se që nga viti i parë i mandatit qeveritar, kryeministri Albin Kurti “e ka kuptuar se ka sajuar një qeveri me mbeturina të PDK-së dhe shoqërisë civile, jokompetente totalisht, e cila veç në hapat e parë ka bërë dëme goxha të mëdha”.

Sipas Sopit, Kurti ka mundur ta formojë një qeveri shumë profesionale dhe pa ngjyrime politike me fitoren që ka pasur në zgjedhjet e fundit, por që nuk e ka bërë.

“Kurti nuk ka marrë kurajo që ta ndërrojë atë qeveri dhe ta bëjë një qeveri kompetente, ndoshta pse ka pasur 51% ka pasur fuqi të zgjedhë një qeveri super kompetente, profesionale, që nuk ka pasur nevojë për ngjyra politike por që të raportojë për rezultate në baza javore. Rezultatet kanë qenë shumë të mundshme me 51 për qindëshin.


Shatri: Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë në ekonomi, absolutisht asgjë

Ekonomisti Haki Shatri, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka bërë asgjë për ekonominë e vendit. 

Ish-ministri i Ekonomisë, në emisionin “Konfront” në KTV, i ka akuzuar zyrtarët qeveritarë për retorikë sa u përket të dhënave për zhvillimin ekonomik. 

“Në këto tri vite e gjysmë, duke e supozuar edhe këtë gjysmë viti që shkon njësoj, në aspekt të zhvillimit ekonomik , kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë, absolutisht asgjë, nuk është çështje e retorikës, e kam trefishuar në raport me para 50 vjetëve, më 20 vjet, me 5 vjet”, është shprehur Shatri. 

Sipas tij për këtë gjysmë viti të mandatit të mbetur, Qeveria nuk do të mund të bëjë asgjë sa i përkët ekonomisë. 

“Tash është fundi i mandatit, nga dita kur shpallen zgjedhjet, Qeverisë i kufizohen kompetencat e vendimmarrjes, nuk mund të bëhet as rishikimi i buxhetit, sepse Kuvendit nuk mund të nxjerr ligje kur të shpallen zgjedhjet, s’mund të ndodhë asgjë e veçantë që mund të themi se po ndryshon diçka në raport me këto tri vjetët e fundit të mandatit qeverisës të Kurtit”, ka deklaruar Shatri. 

Sipas tij të dhënat për rritjen ekonomike e dëshmojnë mospunën e Qeverisë Kurti. 
“Nëse shërbehemi me të dhëna të cilat në ekonomi janë baza e diskutimit edhe e matjes së mirëqenies, shohim që norma e shtimit ekonomik, në këtë rast GDP-së si treguesi kryesor i zhvillimit ekonomik, në këtë mandat qeverisës nuk ka qenë më e lartë, por ka qenë më e ultë se mesatarja e të gjitha viteve, nëse i marrim si mesatare, prej shpalljes së pavarësisë e këndej. Në ato vite kemi normë të rritjes, 5, 4.9, 6.3, 5.3 me përjashtim vitit 2012 kur ka qenë një krizë globale që ka ndikuar edhe te ne, të gjitha vitet tjera janë mbi 4 për qind”, ka theksuar Shatri. 

Sipas tij krahasimet për rritjen ekonomike nuk mund të bëhen me vite shumë të suksesshme ose me vite kur ka kriza globale ekonomike.

“Në vitet e mandatit qeverisës Kurti, përveç vitit 2021, kur matet me vitin 2020, që kam qenë vit i rënies ekonomike, që nuk guxon të matet, sepse matjet bëhen me vite normale të punës, as me vitet super të suksesshme e as me vitet problematike, siç ka qenë pandemia, atëherë një rritje normale do të thoshim ka qenë 4, në 2021, nëse e marrim vitin 2019 si bazë, dhe e kemi vitin 2022 3.1 dhe vitin 2023 me 3.1, që është rritja më e ngadaltë e GDP-së, në këtë periudhë të pas shpalljes së pavarësisë, ky është një indikator, po indikatorët e tjerë, është thelluar deficiti tregtar me jashtë, është përkeqësuar raporti i eksportit me importin, ka ardhur deficiti në 5 miliardë euro”

Ai ka thënë se në vitin 2023 ka pasur rënie të investimeve të huaja direkte për afër 100 milionë, derisa ka shtuar se zyrtarët e Qeverisë “janë mahitur”, kur kanë thënë se ka pasur rritje të tyre.


Demaku: "Dueli" Osmani – Gërvalla, komedi për të qarë

Opinionistja Dafina Demaku thotë se çarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurtit e ka burimin te masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas saj, që kur janë vendosur masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, ka nisur përplasja mes tyre.

“Presidentja në dhjetor e ka pasur një deklaratë që nuk ka qenë shumë e shpërndarë. Në një intervistë një pjesë të gjatë ia ka kushtuar kësaj pjese të masave ndëshkuese dhe kishte deklaruar se ka ndalur masa ndëshkuese ndaj individëve në Kosovë. kur gazetari e pyeste a e ka fjalën për Kurtin, presidentja nuk e mohonte. Thoshte s’e nuk do të përmend emra. Nga atëherë deri sot ka pasur vazhdimësi, disa përplasje mes tyre”, ka thënë ajo në “Konfront”.

Përgjigjen e kundërpërgjigjen me tekste këngësh mes presidentes e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, Demaku e ka quajtur komedi.

“E shohim presidenten e ministren e Punëve të Jashtme që para vetes i kanë diku 370,000 vota të qytetarëve dhe po e shohim një komedi që buron nga institucionet ku kjo dyshe përplaset. 370,000 të Kosovës i kanë votuar këto të dyja për t’i dëgjuar nga institucionet e Kosovës tekstet e këngëve të Gilit, Dafinës e të tjerëve. Kaq për seriozitetin e gjendjes. Kjo është për të qajtur”, ka shtuar ajo.