Arbëri

Moslejimi i votimit në shkollat në veri: Intervistohen 7 drejtorë, në listë edhe 6 të tjerë

Veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të procesit të mbledhjes së të dhënave për pengimin e  procesit zgjedhor nga drejtorët e shkollave në veri të vendit, deri më tani ka intervistuar 7 drejtorë dhe se edhe 6 të tjerë do të intervistohen.

“Me kërkesë për mbledhje të të dhënave në lidhje me pengimin e procesit të votimit kemi marrë autorizimin nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për mbledhjen e të dhënave. Për këtë arsye i kemi në listë për intevistim 13 drejtor të shkollave. Që nga java e kaluar janë intervistuar 7 drejtorë”, ka thënë zëvendësdrejtor i Policisë në veri, Veton Elshani. 

Për mbajtjen e procesit për shkarkimin apo jo të kryetarëve në katër komunat të banuara kryesisht me serbë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është dashur që të gjejë lokacione alternative, pasi në dispozicion nuk kishte objektet shkollore serbe.

KOHA në prill ka raportuar se institucionet ilegale të Serbisë ua kanë ndaluar drejtorëve të shkollave serbe çfarëdo komunikimi me përfaqësues institucionalë të Kosovës, në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve. 

Burime të KOHËS patën thënë se ky arsyetim është përdorur, kur drejtorët janë kontaktuar për nevojën që më 21 prill t’i hapin shkollat që do të shfrytëzoheshin si qendra votimi.