Arbëri

Mosincizimi i mbledhjeve vlerësohet problematike për procesin e avancimeve të profesorëve

Disa fakultete në Universitetin e Prishtinës nuk i incizojnë të gjitha mbledhjet me gjithë që kjo parashihet me rregulloren e punës së Këshillit të Fakultetit. E si pasojë e kësaj janë krijuar paqartësi nëse profesorët janë larguar nga mbledhja kur janë diskutuar çështjet që ata kanë pasur konflikt interesi. Pas raportimeve të KOHËS, Rektorati ka pranuar mangësitë në administrim dhe dokumentim, por nuk ka treguar nëse ka ndërmarrë masa ndaj stafit për mosrespektim të aktit nënligjor.

Mosrespektimi i Rregullores së punës së Këshillit të Fakultetit për administrimin dhe incizimin e mbledhjeve ka krijuar paqartësi te procesi i riemërimit e avancimit të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

KOHA ka raportuar se rektori Arben Hajrullahu dhe disa profesorë të fakulteteve, bazuar në procesverbalet e mbledhjeve, nuk figurojnë që e kanë lëshuar sallën dhe nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes në procesin e avancimit të tyre.

Kjo problematikë është evidentuar edhe në një opinion që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dhënë për Fakultetin Filozofik, ku pastaj Senati i UP-së mori vendim që të rishqyrtohen proceset e riemërimit dhe të avancimit të katër profesorëve.

Pas raportimeve të KOHËS Rektorati ka mbajtur takim me kolegjiumin e dekanëve dhe ka publikuar një sqarim publik, ku ka pranuar mangësitë në administrim dhe dokumentim.

“Përderisa administrimi dhe dokumentimi i proceseve të avancimeve akademike kanë qenë subjekt i praktikave dhe interpretimeve të kohës, universiteti përkushtohet të formalizojë interpretimet e fundit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në praktikat e veta të administrimit të dokumentimit të proceseve lidhur me avancimet akademike”, tha Rektoriati i UP-së.

Administrimi dhe dokumentimi i mbledhjeve parashihet me Rregulloren e Këshillit të Fakultetit. Por kjo rregullore nuk është zbatuar në tërësi.

Largimi nga salla i anëtarit kur diskutohet çështja që ai ka konflikt interesi parashihet me nenin numër nëntë.

Sipas menaxhmenteve të fakulteteve, nuk evidentohen të gjitha lëvizjet në procesverbal dhe as largimi i anëtarit që përbën konflikt interesi.

Për këtë menaxhmentet kanë përmendur disa arsyetime, si moshën e shtyrë e problemet shëndetësore të stafit administrativ.

KOHA ka pyetur Rektoratin nëse ka ndërmarrë masa ndaj stafit që nuk ka respektuar rregulloren, por përgjigje për këtë nuk mori.

KOHA ka telefonuar të gjithë profesorët për të cilët ka raportuar se sipas procesverbaleve nuk figurojnë se i kanë lëshuar mbledhjet. Disa që janë përgjigjur thanë se kanë lëshuar sallën, por kjo nuk është evidentuar nga sekretarët.


“Ne historikisht në fakultet e kemi lëshuar sallën kur është votuar referati i avancimit që kemi qenë të përfshirë. E kjo pse nuk është e evidentuar në procesverbal, mund të jetë se sekretari e ka marrë si të mirëqenë. Por se ne largohemi nga salla vërehet me largimin e prodekanit, i cili është i evidentuar në procesverbal”, tha profesori Nuri Berisha. 

Edhe një tjetër nen i Rregullores nuk zbatohet nga disa fakultete, siç është ai ku parashihet që këto mbledhje të incizohen.

E Fakulteti i Filozofikut ka deklaruar se mbledhjet janë incizuar, porse materiali mbahet nga ish-dekani Dashamir Bërxulli.

KOHA ka pyetur edhe Prokurorinë në Prishtinë nëse ka nisur hetimet lidhur me dyshimet që kanë ngritur për fshehje të dokumenteve zyrtare.

Në Prokurori thanë se nuk kanë pranuar ndonjë informacion për këtë çështje.