Veprime ligjore kanë paralajmëruar në Prokurorinë Speciale, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazë propozimin e saj për t’i gjykuar në mungesë 40 të akuzuarit në arrati për sulmin terrorist në Banjskë. E përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara e kanë kualifikuar këtë vendim të Themelores si zhgënjyes e skandaloz
Prokuroria Speciale ka paralajmëruar veprime ligjore lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës, e cila ka refuzuar propozimin e saj që ndaj 40 të akuzuarve për sulmin terrorist të 2023-tës në Banjskë të zhvillohet gjykim në mungesë.
Fillimisht gjykata ka lëshuar komunikatë me inicialet e 40 të akuzuarve ku mungonin dy të pandehur, njëri person juridik - kompania “Rad DOO”, si dhe pronari i saj R.S. Në Prokurorinë Speciale kanë sqaruar se kjo prokurori ka kërkuar gjykim në mungesë ndaj 40 të akuzuarve dhe jo për R.S. dhe kompaninë e akuzuar, meqë gjykimin në mungesë nuk parashihet ligjërisht për këto veprat penale për të cilat ata akuzohen.
Gjykata Themelore e ka kualifikuar këtë propozim si të pabazuar dhe ka rekomanduar që procesi gjyqësor ndaj individëve fizikë, të akuzuar për sulmin në Banjskë, të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre eventual në Kosovë.
“Kryetari i trupit gjykues ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
E në Prokurori Speciale thanë se këtë vendim e kanë pranuar dhe se pas analizimit të saj do të vendoset lidhur me ushtrimin e ankesës.
Prokuroria Speciale është duke analizuar në detaje arsyetimin e Gjykatës dhe bazën ligjore mbi të cilën është mbështetur ky vendim. Pas përfundimit të analizës do të merren të gjitha veprimet ligjore që garantojnë vazhdimin efektiv të ndjekjes penale dhe funksionimin e drejtësisë, përfshirë edhe ushtrimin e ankesës ndaj këtij vendimi”, thuhet në përgjigje të Prokurorisë.
Vendimi i Themelores ka nxitur zhgënjim te përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara.
“Jam shumë i zhgënjyer dhe në një mënyrë kjo është skandaloze, sepse në rrethana të njëjta për vrasje të rëndë mund të mbahet gjykimi në mungesë, ndërsa për terrorizëm, ku në vete mund të përfshijë shumë vrasje të rënda, nuk bën të mbahet gjykimi në mungesë”, ka thënë Arianit Koci avokat i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku.
“Gjykata ka të drejtë të gjykojë në mungesë, meqë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale ‘Terrorizmi’ dhe që brenda për brenda veprës penale ‘Terrorizmi’, përfshihet edhe vepra penale ‘Vrasje e rëndë’”, ka thënë Naim Rudari, avokat i policit të plagosur, Alban Rashiti.
E Flamur Kabashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tregoi se në cilat rrethana kodi i procedurës penale e lejon gjykimin në mungesë.
“Kodi i procedurës e ka paraparë gjykimin në mungesë, si kod i ri në rrethana dhe situata të caktuara. Njëra rrethanë është kur personi vullnetarisht heq dorë nga gjykimi, por me kushtin që të ketë marrë pjesë në shqyrtimin fillestar dhe situata tjetër kur personi ka qenë i paarritshëm dhe janë shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore e ndërkombëtare”, ka thënë Kabashi.
Për sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë më 11 shtator të vitit të shkuar ndaj 45 personave, të cilët i ngarkoi me veprën penale për terrorizëm dhe veprime kundër rendit kushtetues e sigurisë së Kosovës. Vetëm tre nga të akuzuarit janë kapur, ndërsa të tjerët janë larguar nga vendi i ngjarjes, në ditën e sulmit.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve - Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Millan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.
Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.