Arbëri

Mosfunksionimi i kondicionerëve ndërlikon punën në Pallatin e Drejtësisë

Pallati i Drejtësisë

Foto: Arkiv

Me temperatura të larta jashtë dhe brenda zyrave janë duke u ballafaquar zyrtarët që punojnë dhe qytetarët që e frekuentojnë Pallatin e Drejtësisë për shërbime. Në këtë objekt, në të cilin janë të vendosura shumica e institucioneve të drejtësisë, kondicionerët e ajrit kanë ngelur jashtë funksionit

Objekti qendror që ngërthen shumicën e institucioneve të drejtësisë tash e disa javë ka mbetur pa kondicionerë funksionalë të ajrit, duke ndikuar në vështirësimin e punës për zyrtarët dhe për qytetarët që kërkojnë shërbime në Pallatin e Drejtësisë, shkaku i temperaturave të larta.

Problemi me ajrim ka përcjellë objektin që prej finalizimit të ndërtimit të tij në vitin 2014.

Qytetarët të cilët gjatë së mërkurës kanë frekuentuar objektin për shërbime janë ankuar për tollovi të shumta dhe për temperatura të larta përbrenda Pallatit.

“Nxehtë është se ka shumë tollovi... e pashë që ishte temperatura, edhe këtu janë xhamat, edhe bëhet pak ma nxehtë”, ka thënë për KOHËN një qytetar, i cili nuk ka pranuar që të identifikohet. “Nuk kam qenë këtu qe disa ditë... është jonormale”, është shprehur ai.

Për probleme të vazhdueshme me kondicionerë dhe me mungesë të ajrit janë ankuar edhe përfaqësuesit e stafit. Ata kanë theksuar se edhe në shumicën e sallave në të cilat zhvillohen seanca gjyqësore ka mungesë të ndriçimit.

Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka theksuar se shkaku i telasheve punëtorët kanë mbajtur protestë vite më parë, teksa ka shprehur vërejtjen se objekti nuk i përmbush kushtet për punë.

“Nga viti 2014, prejse jemi instaluar në këtë objekt, gjithmonë klima ka krijuar probleme, ose siç thotë populli, ka punuar për faqe të zezë... në vitin 2015 është bërë edhe protestë”, ka treguar ai.

Për gjetjen e një zgjidhjeje, Rrustemi ka bërë të ditur se Sindikata u është drejtuar autoriteteve kompetente, porse interesim për sanimin e problemit kurrë nuk ka pasur.

“Pallati i Drejtësisë nuk ka klimë e asnjë dritare nuk hapet. Prandaj jemi ballafaquar me problemet më të ndryshme shëndetësore. Është për keqardhje që shumica e institucioneve tona nuk intervenojnë, derisa ta pësojë dikush”, ka thënë ai.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN është bërë e ditur se problemi i mosfunksionimit të kondicionerëve të ajrit ka ekzistuar gjithmonë, duke ndikuar në efikasitetin e punës në gjykatë.

Për këtë shkak, nga kjo gjykatë është njoftuar se tashmë është informuar Ministria e Punëve të Brendshme, porse prej saj nuk është marrë asnjë përgjigje.

“Temperaturat e larta (mbi 30 gradë celsius) që aktualisht i kemi nëpër zyra, natyrisht që ndikojnë në shëndetin e gjyqtarëve dhe të stafit, si dhe në efikasitetin e punës në gjykatë. Gjykata përmes menaxhmentit të saj me dhjetëra herë ka njoftuar SKGJK-në (Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës) për këtë gjendje. Përgjigjja e SKGJK-së vazhdimisht ka qenë se janë njoftuar zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme - Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN) dhe nga ta kanë kërkuar që gjendja të sanohet. Mirëpo gjendja prapë është duke vazhduar të jetë e njëjtë. Ne si gjykatë nuk e dimë se ku qëndron problemi, por mendojmë se këtë duhet ta dinë më së miri zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme - Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave”, është thënë në një përgjigjen për KOHËN nga Gjykata në Prishtinë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë së mërkurës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara nga KOHA lidhur me problemin.

Ndërtimi i objektit të Pallatit të Drejtësisë kishte nisur në fundqershorin e vitit 2011 dhe ka zgjatur për tre vjet. Projekti ishte bashkëfinancim i Komisionit Evropian dhe i Qeverisë, teksa ka kapur një kosto të përafërt prej 30 milionë eurosh.