Arbëri

Mosdurimi etnik

Në një lagje të Ferizajt që popullohet me romë, ashkalinj dhe egjiptianë ka ndërruar gjithçka nga 11 nëntori, kur katër banorë të saj u sulmuan me thikë në tri lokacione të ndryshme. Prokuroria e cilësoi sulmin të motivuar etnikisht, e banorët thonë se frika u është rritur nga atëherë. Aktivistë të komuniteteve të margjinalizuara thanë se sulmet si ai në Ferizaj pasqyrojnë diskriminimin e vazhdueshëm me të cilin përballen

Ndjenja e pasigurisë është rritur në lagjen “Sallhane” në Ferizaj që popullohet nga romë, ashkalinj e egjiptianë, prej 11 nëntorit, kur dy banorë të saj dhe dy të tjerë që ishin mysafirë u sulmuan me thikë nga një person.

Prokuroria e kualifikoi sulmin të motivuar etnikisht.

Banorë të lagjes thonë se, prej atëherë, po i shoqërojnë fëmijët për në shkollë dhe i presin ata derisa ta përfundojnë mësimin.

“Sigurt nuk është, po të kallxoj drejt. Kanë marrë tutë. Frikë kanë marrë fëmijët. Fëmijët tonë, të shkollës, të mëhallës. Frikë krejt kanë marrë, po duhet me shku tash me i marrë te shkolla, me i pritë”, ka thënë Adnan Rama, banor.

Një banor tjetër i komunitetit ashkali, Ruzhdi Ajeti, ka thënë se Ferizaj gjithmonë ka qenë i njohur për bashkëjetesë, por ky incident ka lënë njollë.

“Jena kanë gjithë na të sigurt, mas luftës sidomos gjithë të sigurt jena kanë. Ama kjo vepër është shumë e ... jo e pëlqyer nga komuniteti ashkali. Ferizaj gjithë njerëzit ma të mirë i ka pasë, po kjo vepër ra e ka prishë pak imazhin”, ka thënë ai.

Senad Ibishi është aktivist i të drejtave të këtyre komuniteteve dhe thotë se sulmi me thikë ndaj katër qytetarëve është pasqyrë e diskriminimit të vazhdueshëm.

“Përjashtimi social dhe padrejtësitë të cilat ju bëhen komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë pafundësisht nuk kanë të ndalur, për arsye se po flasim për grupe të margjinalizuara për arsye të etnisë së tyre. Edhe në vitin 2024 ne kemi raporte të ndryshme të cilat flasin për problematikat që sfidohen këto komunitete, në veçanti është diskriminimi. Në momentin që po flasim ky diskriminim është bërë edhe më i madh, pasi që është shkuar dhe ka vijuar në krim të urrejtjes”, ka deklaruar Ibishi.

Sulmi nxiti reagimin kryesisht tek aktivistë të të drejtave të njeriut. Por mungoi ai i përfaqësuesve të institucioneve.

Zhgënjimin për këtë e shpreh Rexhep Bajrami, i cili në Ferizaj udhëheq Zyrën për Komunitete dhe Kthim.

“Po më duket kjo pak e papranueshme për mu, sepse ato viktima kanë nevojë së paku për një mbështetje më të madhe morale. Nuk mjafton ajo: e dënojmë këtë akt”, është shprehur Bajrami.

E sociologia Erisa Hajrizi thotë se sulmi që ndodhi në fillim të nëntorit është pasojë e normalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit brenda shoqërisë.

“Në momentin kur një fëmijë ose çfarëdo individi rritet me një atmosferë të izoluar i cili vazhdimisht dëgjon për stereotipa dhe e normalizojnë dhunën edhe diskriminimin, atëherë kjo normalisht që ka me u manifestu edhe në formë fizike e edhe me eskalu në situata të tilla”, ka deklaruar ajo

Policia nuk ka ofruar statistika për incidentet me karakter etnik ndaj anëtarëve të komuniteteve romë, ashkali e egjiptianë.

Ndërkaq njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, jep disa rekomandime për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe pasojat e saj nga njerëz me rrezikshmëri.

“Të gjithë ata që merren më këso lloj veprimesh ose aty ku është e dyshimtë që ka kësi lloj njerëzish, organet tona të sigurisë publike, në këtë rast policia, duhet të merren më shumë me patrullime si në rroba civile ashtu edhe në uniformë, vetëm e vetëm që të arrin atë preventivën gjithmonë për parandalim”, ka thënë Dashevci.

I dyshuari për sulmin e motivuar etnikisht u vetëdorëzua në Polici dhe ndaj tij është shqiptuar masë paraburgimi. Ai fillimisht pati therur me thikë dy të mitura në rrugën “Rifat Berisha”, më pastaj një person në rrugën “Enver Topalli”, e personin e katërt në rrugën “Halim Spahija”.