Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese, ka thënë se praktikat e mira të Komisionit të Venecias, por edhe praktikat e mira evropiane, tregojnë që funksioni i kreut të shtetit nga kryeparlamentari ushtrohet vetëm në kryerjen e atyre kompetencave që janë me rëndësi të veçantë për shtetin. Të rëndësisë së këtillë e ka kategorizuar promulgimin e ligjeve, ose edhe dekretimin e gjyqtarëve, por jashtë saj e ka parë kompetencën e shqiptimit të faljeve individuale.
Profesori Morina, i cili është një nga dy përfaqësuesit që Kosova i ka në Komisionin e Venecias, në një intervistë për KOHËN, ka treguar nëse ishte kushtetuese dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, e edhe nëse ishin në harmoni veprimet e mëpastajme të ndërmarra nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila menjëherë pas dorëheqjes së Thaçit, ka nisur ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit. Ai ka treguar edhe se kur mund të marrë start procedura e zgjedhjes së presidentit të ri.
KOHA: Z. Morina, a ka të drejtë Presidenti të dorëhiqet, nisur nga fakti që Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh këtë?
Morina: Është shumë e vërtetë që Kushtetuta qëndron e heshtur për sa i takon institutit të dorëheqjes, por qëndron e heshtur edhe për sa i takon institutit të vdekjes. Nisur nga kjo, nuk nënkuptohet assesi që Presidenti i Republikës nuk mund të materializojë aktin e dorëheqjes sipas të drejtës kushtetuese kosovare. Këtë qëndrim interpretativ e mbështes edhe në praktikën e mëhershme kushtetuese. Dhjetë vjet më parë, ju e dini se kreu i shtetit, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, materializoi aktin e dorëheqjes dhe që nga ajo kohë është institucionalizuar një praktikë kushtetuese që sa herë që pozita e Presidentit mbetet vakante si pasojë e dorëheqjes, mandati i ushtruesit të detyrës së Presidentit i kalohet Kryetarit të Kuvendit. Mendoj se ky tranzicion institucional është tërësisht në frymën e nenit 90 të Kushtetutës së Kosovës, përkundër faktit që nuk ka një dispozitë kushtetuese që në mënyrë shprehimore rregullon këtë çështje. Por kështu është natyra e normave kushtetuese, aty ku norma kushtetuese nuk ofron zgjidhje shprehimore, atëherë kjo gjë korrigjohet përmes instrumenteve të tjera kushtetuese sikurse janë praktikat e mëhershme kushtetuese apo përmes interpretimit kushtetues.
KOHA: Atëherë, në rrethanën e dorëheqjes, është e drejtë që Kryetari i Kuvendit ta zëvendësojë Presidentin, meqë as për këtë nuk flet diçka Kushtetuta?
Morina: Mendoj se kjo është një praktikë gjerësisht e pranuar në hapësirën kushtetuese evropiane. Ka një numër të madh të kushtetutave të shteteve me rregullim parlamentar ose edhe presidencial, me përjashtim të atyre me formë monarkike të qeverisjes, që parashohin për zgjidhje kushtetuese. Këtë frymë ndjek edhe kushtetuta shqiptare e cila përcakton se kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
KOHA: Meqë përmendet frymën kushtetuese – i bie kjo që kryeparlamentarja mund ta ushtrojë detyrën e presidentit deri në gjashtë muaj?
Morina: Unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që ajo të mos mund ta bëjë këtë. Siç theksova më sipër, kjo praktikë është plotësisht në harmoni me kërkesat e nenit 90 të Kushtetutës së Kosovës, dhe ndjek traditën e mëhershme kushtetuese të etabluar tanimë në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Prandaj, unë mendoj që nuk ekziston asnjë rrethanë apo normë kushtetuese shprehimore që do ta ndalonte Kryetaren e Kuvendit që të ushtrojë këtë detyrë brenda afatit kushtetues gjashtëmujor.
KOHA: Ushtruesi i detyrës së Presidentit a kufizohet në ndonjë kompetencë, gjatë realizimit të detyrave?
Morina: Jo vetëm Kushtetuta e Kosovës, por edhe kushtetutat tjera nuk ofrojnë gjithmonë zgjidhje për problemet që paraqiten pas miratimit të tyre. Do të ishte tepër naive që të krijohen pritje të tilla se normat kushtetuese do të duhet të ofrojnë zgjidhje për secilën situatë apo problem. Kështu është natyra e gjuhës së kushtetutës. Ju mund t’i kujtoni dilemat e tilla të ngritura edhe para disa muajsh kur patëm qeverinë në dorëheqje dhe një prej pyetjeve legjitime ka qenë edhe ajo se cilat janë përmasat e ushtrimit të kompetencave të një qeverie në dorëheqje.
Megjithatë, mendoj në bazë të disa praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe atyre evropiane përgjithësisht, konsideroj se qeveritë në dorëheqje ose në ato raste kur kemi ushtrues të detyrës së kreut të shtetit, ushtrimi i funksioneve kushtetuese duhet të kufizohet vetëm në ushtrimin e kompetencave që nuk rrezikojnë funksionin kushtetues të organeve shtetërore, pra kryesisht ato kompetenca që janë vitale dhe esenciale për sistemin e qeverisjes. Se çka mund të konsiderohet një funksion të tillë vital është e debatueshme në teorinë dhe praktikën kushtetuese. Sidoqoftë, në kuadër të këtyre funksioneve do të mund të hynte dekretimi i ligjeve të parlamentit apo dekretimi i gjyqtarëve por është thellësisht e debatueshme nëse shqiptimi i faljeve individuale do të mund të konsideroj një kompetencë e tillë vitale në kuptim të ushtrimit të kompetencave nga një ushtrues detyre i Presidentit.
KOHA: Në situatat sikur kjo, qysh iniciohet procesi i zgjedhjes së presidentit të ri?
Morina: Edhe për këtë çështje, Kushtetuta i referohet një situate normale të nisjes së procedurës. Parasheh atje mes tjerash që 30 ditë para skadimit të mandatit të rregullt të kreut të shtetit të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit. Ne, tani jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe shumë specifike. Sërish Kushtetuta nuk ofron detaje rreth kësaj çështjeje, por mbështetur në një interpretim sistemik dhe kontekstual të dispozitave relevante të Kushtetutës së Kosovës, përgjegjësia kushtetuese për vënien në lëvizje të një procedure për zgjedhjen e kreut të shtetit natyrshëm bien mbi Kuvendin e Republikës. Çështjet tjera të procesit dhe shumicës së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e Presidentit janë qartësisht të përcaktuara me nenet përkatëse të Kushtetutës së Kosovës.
KOHA: Z. Morina, në situatat kur ka dilema kushtetuese sikur kjo e tashmja – meqë janë ngritur të tilla si nga juristë po ashtu edhe nga njerëz të politikës – kush përbën palën e autorizuar për të ngritur çështje para Gjykatës Kushtetuese? Dhe, a e shihni të nevojshme të ngrihet kjo si çështje?
Morina: Mendoj se është tërësisht e panevojshme që kjo dilemë të referohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Nuk mendoj se është e domosdoshme, ngaqë gjuha dhe fryma e nenit 90 të Kushtetutës është relativisht e qartë. Nëse i referohemi së kaluarës së jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, ka pasur një mori organesh shtetërore, siç ka qenë kreu i shtetit, qeveria, apo një e katërta e deputetëve që kanë shfrytëzuar mekanizmin e kërkesës për interpretim kushtetues. Por kohëve të fundit vërehet një trend më i fuqishëm i vetëpërmbajtjes së Gjykatës Kushtetuese për sa i takon pranimit formal të kërkesave interpretative kushtetuese, përveç atëherë kur një çështje me të vërtetë kërkon interpretim të thellë kushtetues dhe është rruga e vetme për të zgjidhur një nyje kushtetuese. Nuk mendoj se ky është rasti në rrethanat aktuale.