Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe njëherë ka bërë thirrje që institucionet e drejtësisë të trajtojnë me prioritet kallëzimet ndaj Komunës së Prishtinës për shkeljet lidhur me disa projekte kapitale, me në krye punimet në sheshin “Xhorxh Bush”. Në një përgjigje ndaj deklaratave të fundit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, MKRS-ja ka thënë se organet e drejtësisë duhet të parandalojnë “thellimin e dëmit financiar që po i shkaktohet buxhetit të shtetit”.
Të premten, kryetari Rama, akuzoi Qeverinë në detyrë dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku se po i përdorin siç ka thënë, institucionet e pavarura për t’i bllokuar projektet në kryeqytet. Rama mbajti konferencë, pasi që të martën e kësaj jave për herë të dytë janë ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Ai ka thënë se projektin për këtë shesh nuk cenohen objektet e trashëgimisë kulturore.
E në përgjigjen e MKRS-së thuhet se Komuna e Prishtinës ka vepruar kundërligjshëm kur ka nisur punimet në zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, pa marrë leje nga institucionet përgjegjëse.
“Në vend se të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje, sot vazhduan me dezinformata, fshehje të qëllimshme të informacioneve dhe manipulime të opinionit publik. E sqarojmë sërish: projekti për rrugën “Xhorxh Bush” ka filluar pa lejen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve – një shkelje e qartë e ligjit që mund të sjellë pasoja serioze, përfshirë edhe dëme financiare për buxhetin e shtetit, dhe ky nuk është i vetmi ligj që kanë shkelur. Pasi inspektorati kompetent ka ndaluar punimet e paautorizuara, Komuna ka parashtruar kërkesë për pajisje me leje nga IKMM, ani pse e dinin se kjo leje do të duhej të kërkohej që në fillet e para të hartimit të projektit, në mënyrë që kur projekti të hartohet dhe të prokurohet për ekzekutim t’i përmbajë të gjitha parimet, rregullat dhe kriteret e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagimin e MKRS-së.
MKRS-ja ka thënë se nuk synon t’i ndalojë punimet por të kontrollojë që projektet të plotësojnë kriteret dhe parimet e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Projekti që kanë dorëzuar Komuna, ka marrë verdikt profesional nga institucioni kompetent, i cili ka kthyer lëndën me rekomandime konkrete se si ai projekt do të duhej të harmonizohej me këto kushte dhe kritere. Në vend se të ulen dhe të sigurojnë zbatimin e rekomandimeve, Komuna sot zgjodhi të dezinformojë opinionin publik përsëri. Kryetari i komunës së bashku me drejtorin e tij, treguan sot se kanë zgjedhur të ndahen përfundimisht nga detyrimet profesionale dhe ligjore, përkitazi me domosdoshmërinë e trajtimit të kryeqytetit si qendër ku kujdesi për identitetin kulturor, historik dhe urban, mbizotëron së pari si obligim ligjor e pastaj edhe si standard profesional e kulturor”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.
Sipas MKRS-së, Komuna s’e ka treguar të vërtetën kur ka thënë se ndërhyrjet kufizohen në asfalt dhe infrastrukturë të gypave të azbestit e për lokalet afariste pranë hyrjes së ndërtesës së Rektoratit të UP-së.
“MKRS fton organet e kryeqytetit që të mos vazhdojnë të shkelin ligjin sepse në cdo rast, do të përballen me institucionet e administratës shtetërore përgjegjëse për zbatimin e Ligjit për Trashëgimi ashtu sikurse, këto veprime, do të paraqiten në vazhdimësi në organet e drejtësisë sepse faktet, dokumentet, dëshmitë janë të gjitha aty dhe ato flasin për abuzim e shkelje sistematike të ligjit nga ana e Komunës së Prishtinës. Sërish, u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet kallëzimet tona ndaj shkeljeve të rënda të Komunës së Prishtinës, dhe të parandalojnë thellimin e dëmit financiar që po i shkaktohet buxhetit të shtetit”, thuhet tutje në reagim.
Përplasja Komunë-Ministri ka javë që ka nisur. Të mërkurën, ministri Hajrulla Çeku pretendoi se Komuna po lidh qëllimisht kontrata të kundërligjshme. Këtu ka përmendur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”. E Rama ka thënë vazhdimisht se Ministria po ia ndalon qëllimisht projektet teksa ka paralajmëruar edhe veprime ligjore.
KOHA të enjten ka raportuar se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk e ka miratuar projektin e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”. Janë dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet, që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.