Arbëri

Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore: UP-ja po i normalizon ngacmimet seksuale

Universiteti i Prishtinës po i normalizon ngacmimet seksuale brenda universitetit, me mosveprimin për ta përjashtuar profesorin ndaj të cilit ka pasur denoncim nga 27 studente, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore.

Dy javë më parë, 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, denoncuan profesorin e Edukimit, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual. Krasniqi është përjashtuar nga Fakulteti i Mjekësisë, ndërsa studentët me protesta e aktivitete kanë bërë thirrje për përjashtim të tij edhe nga Rektorati e Fakulteti i Edukimit. Ata i kanë kritikuar menaxhmentin e UP-së dhe atë të Fakultetit të Edukimit rreth mungesës së gatishmërisë për të luftuar ngacmimet seksuale. Megjithëse Rregullorja parasheh që pas paraqitjes së shkeljes, palët të intervistohen brenda pesë ditëve, Këshilli i Etikës nuk e ka përfillur këtë. E së fundmi, ky këshill ka mbajtur mbledhje, por sipas Mjekut nuk ka vendime publike.

Mjeku ka thënë se nuk është rasti i parë që ky këshill nuk i ka trajtuar me prioritet rastet e denoncimeve për ngacmime seksuale. 

“Fakulteti i Mjekësisë e ka marrë vendimin për ta përjashtuar se po të ishte në duart e Universitetit të Prishtinës s’do të përjashtohej e do të provohej të heshtej si rastet tjera. Kjo tregon për joseriozitetin e UP-së dhe është rast qysh këta po i normalizojnë ngacmimet seksuale brenda universitetit. Ai s’mund të jetë në Fakultetin e Mjekësisë ngacmues e në fakultete tjera person i sigurt për gratë dhe vajzat. UP-ja e di këtë, por s’po merr vendime”, ka thënë Mjeku.

Ajo është ankuar edhe në rregulloren për denoncimin e ngacmimeve seksuale. Sipas saj, ka mospërputhje me ligjin për diskriminimin sepse ofrohet vetëm një vit për raportim për ngacmimin seksual e se vepër penale aty konsiderohet denoncimi i rremë, por jo edhe vetë ngacmimi seksual.
Mjeku ka thënë se edhe solidariteti i burrave në UP është i jashtëzakonshëm kur flitet për këto çështje.
Ajo është shprehur se studentet do të vazhdojnë me protesta e aktivitete deri kur të përjashtohet profesori Krasniqi dhe të shkarkohet Këshilli i Etikës.

“Asnjë i denoncuar s’e ka vendin në Universitet të Prishtinës. Po ashtu, njerëzit që s’i trajtojnë këto raste me prioritet janë joprofesionalë dhe neglizhentë dhe s’kanë vend në Këshill të Etikës”, ka përfunduar Mjeku.