Arbëri

Misteri i zarfit nga Serbia, prokurorja Salihu përjashtohet nga rasti i pronës në Veternik

Prona ne Veternik

Prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës milionëshe në lagjen “Veternik” në Prishtinë.

Hetimet për pronën janë pushuar, bazuar në një zarf që erdhi në rrugë jozyrtare nga Serbia.

Sipas kryeprokurorit Zejnullah Gashi, përjashtimin e prokurores e ka bërë ex-officio edhe sipas kërkesës së palëve.

“Ta ruajmë kredibilitetin dhe të mos duket që po dalim të njëanshëm, në asnjë mënyrë s’kam për ta lejuar, në asnjë mënyrë të cenohet rëndë autoriteti i Prokurorisë, pavarësisht tentativave që bëjnë njerëzit, unë do të mundohem ta ruaj”, është shprehur Gashi.

“Betimi për Drejtësi” në Kohavision pati raportuar për misterin e zarfit nga Serbia që, sipas Prokurorisë, përmban të vërtetën, ndërsa, sipas njërës familje, ishte dyshim tjetër për mashtrim në rast.

Në këtë zarf, sipas Prokurorisë gjendej e vërteta mbi historiatin e pronës milionëshe në Veternik, e cila dyshohet se u fitua përmes falsifikimeve të po këtyre dokumenteve pronësore që u dorëzuan me postë.