Arbëri

Mish-mashi i komunës me tregun e gjelbër, i cili vazhdon të jetë në gjendje të tmerrshme

Për ta realizuar këtë projekt, Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga Shpend Ahmeti kërkoi zhvendosjen e AKP-së.

Por gati 2 vjet pasi ka marrë mandatin, kryetari i tanishëm, Përparim Rama, e ka anuluar projektin e paraardhësit të tij, madje ka projektuar pamje të re të tregut të cilin ka vendosur që ta revitojë në hapësirat ekzistuese të tregut të gjelbër.

E tregun e gjelbër derisa t’i kryejë punimet ka vendosur ta zhvendosë në hapësirat e dikurshme të AKP-së.

“Brenda hapësirës së AKP-së, në një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe në të cilën jemi duke punuar, e kemi pastruar hapësirën aty dhe aty do të ketë sipërfaqe parkimi për vetura. E përveç kësaj do të kemi edhe më shumë gjelbërim kurse pjesa tjetër do të shfrytëzohet për treg. Për dy muaj ne do ta trajtojmë komplet pjesën e kalldrëmeve dhe të asfaltit, të ndriçimit. Me NPB, kemi kontraktuar ndërtimin e kulmeve të cilat do të bëhen. Deri në fund të vitit do të kompletohet dhe mandej të barten edhe tregtarët. Në mënyrë që t’i lëmë hapësirë tregut që do të ndërtohet në tregun aktual”, tha drejtori i investimeve kapitale, Krenar Xhaferi.

Xhaferi thotë që zhvendosja e tregut ishte e domosdoshme, kjo pasi tregu i ri nuk do të ndërtohet edhe 3 vjet të tjerë.

E tregtarët duhet ta vazhdojnë punën e tyre.

“Unë besoj që hapësira është e mjaftueshme sepse kemi një hapësirë jashtëzakonisht të madhe brenda AKP-së….ideja është se në çfarëdo situate do të përballemi duhet ta bëjmë zhvendosjen e tregut, sepse finalizimi final i tregut do të merr deri në 3 ose 4 vjet. Nuk mundemi që t’i lëmë kaq shumë tregtarët pa punuar. Do të punohet në partneritet publiko-privat dhe kur punohet kështu atëherë kjo gjë merr kohë dhe është pikërisht kjo arsyeja që ne do ta zhvendosim tregun”.

Drita Xhemajli, banore, e ndjen nevojën e ndryshimit.

“Tregu ka qenë çdo herë këtu, mirëpo ka nevojë për ndryshime megjithatë mirë ka qenë edhe këtu. Nuk besoj që do të ketë hapësirë të mjaftueshme sepse ne nuk kemi edhe vend më. Prishtina nuk ka më vend për hapësira të mëdha, jemi shumë të mbipopulluar”.

E, qytetari Nazmi Kodrolli tha se kryetari nuk po punon shumë në këtë drejtim.

“Po shpresojmë që të bëhet mirë tregu u ri, mirëpo kryetari nuk është duke punuar shumë në këtë drejtim. Unë po punoj në këtë treg, po shpresoj që do të bëhet mirë që të kemi edhe ne më shumë punë”.

Komuna ende nuk ka bërë zgjidhje për problemin pronësor në hapësirat ekzistuese të tregut të gjelbër, një pjesë e së cilit shtrihet në pronë private.

Drejtori Xhaferi ka thënë se do të flasin me pronarin që edhe prona e tij të jetë pjesë e projektit qoftë me shpronësim ose bashkëpunim.