Arbëri

Mirëqenia me përqindje

Gjatë vitit 2025 parashikohet të ketë inflacion më të ulët sesa në vitet paraprake kur ekonomia u godit nga pasojat e pandemisë, luftërave, çrregullimit të tregut të furnizimit e të krizës globale energjetike. Por, sado i frenuar të jetë inflacioni, edhe në të ardhmen qytetarët do ta vuajnë peshën e rritjes së çmimeve ndër vite

Feti Aliu këtë vit e ka mbërritur moshën e pensionit, por jo edhe mundësinë që ta braktisë punën e ta shijojë këtë pjesë të jetës si disa nga kolegë më fatlumë të gjeneratës së tij. Pensioni thotë se i del vetëm sa për të mbuluar shpenzimet e ilaçeve. Për ushqim, fatura e të tjera nevoja elementare i duhet të angazhohet si punëtor sigurimi. 

Aliu, përfaqëson një pjesë të qytetarëve, që e ndjejnë çdo ditë pamundësinë e përballimit të kostos minimale të jetesës. 

“Jam sigurim, nuk është keq, por kush i ka katër, pesë apo edhe 10 vetë në familje... e ka të vështirë”, shpreh ai pasigurinë për vete dhe të tjerët që kanë të hyra të pakta mujore. “Pare populli s’po ka hiç. Shkon diku, punon 300 euro e kur t’i marrësh ilaçet janë 50 euro, pastaj faturat... Po sa të mundemi do ta shtyjmë”.  

Edhe pensionistja Afrime Loxha thotë se çmimet janë të papërballueshme. Po të mos ishte ndihma nga diaspora, sipas saj jeta do të ishte më e vështirë. 

“Çmimet janë shumë shtrenjtë, sidomos për ne pensionistët janë tepër shtrenjtë, edhe komunalet edhe pazari edhe krejt tepër shtrenjtë janë. E kështu që nuk dimë se si ta përballojmë këtë jetë të shtrenjtë… Ka që na ndihmojmë, këta jashtë që i kemi dikush ndihmon, por po më duket se jeta është më e shtrenjtë sesa në perëndim është bërë këtu – aq shtrenjtë që është bërë”, thotë pensionistja Afrime Loxha. 

Mbi 82 milionë euro ka paguar Qeveria nga muaji janar deri në muajin gusht të këtij viti për rreth 48 mijë pensionistë kontributpagues. Po në këtë periudhë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga buxheti janë shpenzuar mbi 123 milionë euro për afro 151 mijë pensionistë të moshës. Sipas llogaritjeve, buxheti i Kosovës ndan mbi 300 milionë euro brenda një viti për këto dy skema pensionale. Në këtë shumë përfshihen vlera e pensioneve kontributpaguese nga 180 deri në 265 euro dhe ajo e pensioneve të moshës prej 100 eurosh. Por ky buxhet nga tetori i vitit 2024 ka pësuar rritje. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i rrisë pensionet dhe disa nga skemat sociale nga 20 deri në 50 për qind. 

Sipas këtij vendimi, pensionistët kontributpagues, duke filluar nga ky muaj, do të marrin prej 218 deri në 318 euro, varësisht nivelit të arsimimit, kurse pensionet bazike apo të moshës do të jenë 120 euro.

Frenohet inflacioni, çmimet mbeten të larta

Anketa e fundit e Buxhetit të Ekonomive Familjare të ASK-së thekson se mbi një e treta e qytetarëve e shtyjnë pagesën e faturave për shkak se nuk mund t’i përballojnë ato, ku 16 për qind e qytetarëve deklarojnë se i shtyjnë ato një herë në vit, dhe 19 për qind i shtyjnë ato më shumë dy ose më shumë herë në vit. 

Përveç pensioneve e pagave të ulëta tek disa kategori të sektorit publik, kostoja e jetës në 3-4 vitet e fundit është rritur edhe si pasojë e efekteve të pandemisë COVID-19, që në vitin 2020 preku ekonomitë e të gjitha vendeve të botës. Inflacioni arriti shifra rekorde edhe tek vendet e zhvilluara. E kushtëzuar nga marrëdhëniet tregtare me jashtë, kësaj nuk i shpëtoi as Kosova. Në vitin 2022, niveli i inflacionit arriti në 12 për qind. 

Stabilizimi i ekonomisë globale dhe masat e ndërmarra në ndërkohë arritën që në vitin 2023 të frenohet ky trend duke u ulur në afro 5 për qind, e në vitin 2024 në afro 2 për qind.  

Viti 2025 pritet të ketë 2 për qind inflacion sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, që llogaritet si nivel i zakonshëm i inflacionit, i krahasueshëm me vitet e para pandemisë globale të koronavirusit. 

Ligjëruesja e ekonomisë, Albulenë Kastrati thotë se ulja e inflacionit pas pesë vjetësh është lajm i mirë për qytetarët. 

“Fatmirësisht ky inflacion thuajse është përgjysmuar në 4.9 për qind e deri në fund të vitit 2024 pritet të bie në 2.1 për qind. Ky është lajm i mirë për të gjithë qytetarët për shkak se çmimet e (produkteve të v.j.) përditshme, të transportit, ushqimit, strehimit e këto tashmë kanë filluar të ulen”, thotë Kastrati. 

Ulja e inflacionit jo domosdo nënkupton rënie të çmimeve. Kastrati e shpjegon këtë me shtresëzimin e inflacionit ndër vite.  

“Ato çmimet që janë rritur paraprakisht është pak e vështirë (të ulen) nga inflacioni kumulativ të çdo viti të caktuar. Pra zakonisht çmimet që e kanë arritur një nivel të caktuar, vështirë se do të kthehen apo do të ulen, ashtu si është niveli i inflacionit i ulur aktualisht. Mirëpo lajmi i mirë është që nuk presim ndonjë krizë energjetike ose çmime të stërfryera siç i kemi përjetuar në këto tri-katër vjetët e fundit”, thotë Kastrati.  

Fuqia blerëse “favorizon” importet  

Përveç rritjes së pensioneve, pagave në sektorit publik nëpërmjet përcaktimit të vlerës së koeficientit, një vendim që në perspektivë mund të ketë efekt në fuqinë blerëse, është rritja e vlerës së pagës minimale. Për afro 13 vjet paga minimale ishte “ngrirë”, në 130 përkatësisht 170 euro. Me Ligjin për Pagën Minimale i miratuar më 2023 në Kuvend ishte përcaktuar që ajo të jetë 264 euro, por zbatim nuk gjeti për shkak se nga opozita ishte dërguar në Kushtetuese dhe atje u mbajt për shqyrtim afro një vit. Në gusht të vitit 2024 ligji hyri në fuqi, ndërsa pak ditë më vonë me vendim të Qeverisë paga minimale u rrit në 350 euro. 

Rritja e pagës minimale ndonëse vlerësohet se prek mbi 100.000 të punësuar, sipas ekspertëve nuk prodhon efekte në mirëqenie. 

Ekonomisti Adem Qorolli thotë se kjo dhe rritjet për kategoritë në asistencë sociale është ndihmë e vogël në raport me kostot e jetesës.  

“Kur kemi një keqjetesë apo jetesë ekonomikisht të dobët, çdo rritje institucionale nuk përkthehet si rritje e mirëqenies ekonomike. Kjo është që bën institucioni: është balancimi mes kostos së jetesës dhe të ardhurave të jetesës”, thotë Qorolli. 

Rritja e buxhetit për paga, pensione e subvencione sipas ekonomistëve, shton fuqinë blerëse të qytetarëve. Në bazë të statistikave tregtisë së jashtme për muajin tetor 2024 të ASK-së, eksporti është rritur me 15 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por bashkë me të është rritur edhe importi 10.1 për qind. Kosova importon shumë më shumë sesa eksporton e në bazë të kësaj ankete, eksporti 6.6 herë më i vogël sesa importi. 

Albulenë Kastrati thotë se ekonomia globale është e lidhur, derisa e quan papërfillshme peshën e ekonomisë kosovare në tregun evropian. Për shkak të ekonomisë së vogël dhe bilancit negativ tregtar, ajo nuk sheh mundësi që politikëbërja të ndikojë te niveli i inflacionit që godet buxhetet familjare. 
“Nuk është meritë e një qeverie kur ulet inflacioni as nuk është faj i ndonjë qeverie kur kemi rritje të çmimeve në Kosovë”, thotë Kastrati. 

E ekonomisti Adem Qorolli thotë se shteti mund të bëjë shumë më shumë për t’ua lehtësuar qytetarëve përballimin e kostos së jetesës. Ai e sheh si ide të mirë heqjen e tatimit në produktet bazike. 

“Është e domosdoshme që produktet esenciale të lirohen nga pjesa e tatimit në fitim e që nuk është pak. Është 10 për qind. Të lirohet edhe nga pjesa e TVSH-së, 18 për qind e që çdo produkt, kur të ulet me 28 për qind të çmimit, doemos do të kishte impakt pozitiv në jetën e qytetarëve”, thotë Qorolli.

Megjithatë, aktivisti për të drejtat e konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, shpreh rezervë të fortë mbi këtë ide. Kosova tashmë e ka provuar uljen e tatimit për produktet ushqimore bazike, por sipas tij, me këtë nuk kanë fituar qytetarët nuk gjetën çmime më të lira në rafte të dyqaneve. Nga ajo politikë sipas Kaçanikut fituan vetëm tregtarët dhe prodhuesit, të cilëve iu rrit përqindja e fitimit. Pavarësisht se në vitin 2024 Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi ligjin për çmimet tavan, pasi aprovoi ankesën e deputetëve të PDK-së, LDK-së e AAK-së kundër ligjit, Kaçaniku thotë se ka forma të tjera për ta mbikëqyrur tregun. Ai shprehet se për vite me radhë ka munguar rregullimi i tregut dhe shitësit janë lejuar të sillen si kaubojë që ngrisin çmimet në mënyrë abuzive. 

“Duhet të bëhet një kontroll më i rreptë me profesionale e marzhave sepse aty po fitohet së tepërmi dhe margjinat e larta po e lënë në plan të dytë prodhimin vendor sepse ato nuk e mundësojnë një margjinë të tillë. Këto margjina janë të rrezikshme, si për ne, si për ekonominë, si për tregun, si për financat, si për buxhetin, si për partitë politike, si për shtetin...Meqë ne nuk kemi rregullator çmimesh ne duhet ta zbatojmë Ligjin për Masat Anti-Damping për shembull që të mos merremi me çmimet tavan”, thotë Kaçaniku.

Ekspertët: Më 2025-n më shumë para në investime

Qytetarët e Kosovës i kanë pagat ndër më të ulëtat në Evropë, ndërkohë që kostoja e jetesës në disa indikatorë i afrohet standardit të vendeve të zhvilluara. 

“Ne as në kohën e Jugosllavisë nuk kemi qenë më të pasurit në Jugosllavi. Jeta na ka mësuar të kursejmë, jeta na ka mësuar t’i mbajmë dy ose tri vende pune, të bëjmë edhe punë artizantale në mënyrë që ta përmirësojmë e ta ndreqim mirëqenien e standardin tonë social dhe fatmirësisht çdo familje e ka dikë jashtë vendit dhe ata çojnë remitenca. Këto remitenca sipas meje arrijnë apo tejkalojnë shifrën prej dy miliardë eurosh (në vit)”, thotë Kaçaniku. 

Ai thotë se qytetarët po i paguajnë tatimet duke plotësuar obligimet ndaj shtetit, por shteti në vazhdimësi, nuk i ka plotësuar obligimet e veta në raport me mbikëqyrjen e marzhave tregtare. 

“Me taksa, tatime e akciza ne e mbajmë edhe Qeverinë ato ia japim në mirëbesim dhe në menaxhim Qeverisë. Ja që ne ia japim, por Qeveria nuk komunikon tutje me ne. Domethënë ne jemi inekzistentë për Qeverinë pas dhënies së taksave, tatimeve e akcizave – më tutje ne nuk ekzistojmë”, thotë Kaçaniku. 

Viti 2025 pritet të ketë inflacion më të ulët sesa vitet e kaluara. Sidoqoftë, shumë prej qytetarëve do ta ndjejnë mbi supe peshën e rritjes së shtresëzuar të çmimeve – që jo domosdoshmërisht ulen kur inflacioni bie. 

Derisa ekonomistët nuk pajtohen nëse është më mirë që institucionet të bënin më pak shpenzime në investime kapitale, shkaku i rrezikut të rritjes së shpenzimeve, si Kastrati ashtu edhe Qorolli thonë se viti 2025 është vit i përshtatshëm që Qeveria të injektojë para në ekonomi. 

“Duke e marrë parasysh se inflacioni në Evropë ka trend rënieje sepse ka arritur në nivelin që pikërisht i targetojnë politikat në Evropë dhe te ne inflacioni pritet të ulet edhe më tutje. Unë mendoj se në vitin 2025, Qeveria do të ketë edhe më shumë hapësirë t’i rrisë investimet kapitale, pa u brengosur shumë se do të ndikojë në inflacion ose në kostot e jetesës në Kosovë”, thotë Kastrati. 

Banka Botërore ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës në 2025-tën të rritet 3.9 për qind. Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar e sheh këtë si rritje të ngadalshme për të arritur rritjen e standardit evropian të jetesës. Sipas FMN-së në qoftë se Kosova me rritje të vazhdueshme prej 4 për qind, asaj do t’i duheshin 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit të jetesës së vendeve të Evropës Perëndimore.  

Vetëm një për qind e konsumit për arsim

Në vitin 2023, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave paga mesatare bruto për sektorin privat është 515, ndërsa  për sektorin publik 713 euro.  

Në publikimin e ASK-së, “Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2023”, thuhet se mesatarisht 55 për qind e konsumit vjetor familjar shkon ne ushqim, 14 për qind ne banim, 7 për qind ne transport, 6për qind në veshmbathje, ndërsa vetëm një për qind ne arsim. 

Pjesëmarrës në mbulimin e këtyre shpenzimeve, është ndihma nga diaspora. 

Nga afro 1.5 miliardë dërgesa të migrantëve, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, 75 për qind  shpenzohen për nevoja familjare, kryesisht ushqim, e pjesa tjetër në patundshmëri.

“Remitancat në prill 2024 arritën vlerën 113.22 milionë euro. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin maj 2024 ishin rreth 119.74 milionë euro, duke arritur kështu vlerën për pesë muajt e parë të vitit 2024 në 513.99 milionë euro (preliminare). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit maj kanë qenë përmes IFJB 56.31%, përmes bankave komerciale 14.98% dhe kanaleve tjera 28.71%”, thuhet në njoftimin e BQK-së.  

Ndërsa, sipas një raporti të Odës Ekonomike të Kosovës, që i referohet shifrave të bankës së BQK-së, pesha e investimeve te huaja direkte për periudhën 2007-2022 është 1 miliard e 66 milionë euro. 

“Gati gjysmën e kësaj shifre e mbulojnë investimet në patundshmëri 523.7 milionë euro në patundshmëri. E në periudhën janar-shtator 2024, investimet e huaja direkte kanë arritur në 657.3 milionë euro, duke shënuar rritje prej 38.5 milionë eurosh”. 

Investimi i madh i diasporës  ka vazhduar edhe gjatë viteve 2023 dhe 2024, ku sipas Odes Ekonomike të Kosovës, 71.4 për qind e investimeve kanë qenë në patundshmëri për periudhën janar-shtator 2024.

Rritja e dërgesave nga jashtë, rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik e për përfituesit e skemave pensionale si dhe rritja e subvencioneve ka bërë që të rritet shkalla e importeve. Në vitin 2024 llogaritet që vlera e importeve ka arritur në afro 5.5 miliardë, ndërsa e eksporteve diku 15 për qind e kësaj vlere, përkatësisht afro 820 milionë euro.