Arbëri

Mirëpritet përgatitja e ligjit që rregullon funksionimin e kriptovalutave

Rritja e përdorimit të kriptovalutave në Kosovë ka shtyrë institucionet të veprojnë për të rregulluar përmes ligjit funksionimin e kësaj industrie me përmasa globale.

Transferimet e monedhave digjitale nuk regjistrohen aktualisht në vendin tonë, derisa përdoruesit e tyre nuk i paguajnë tatim shtetit për këtë veprimtari.

Duke marrë shkas nga këto dy çështje e sidomos nga raportimet për shfrytëzim ilegal të rrymës në veri të vendit, Komisioni Parlamentar ka nisur procedurat për hartimin e Projektligjit për Kriptovaluta.

“Çdo veprimtari ekonomike duhet të kryejë obligimet ndaj shtetit. Kush mund të më thotë sot sa paguajnë tatim ata, kush mund të më thotë çfarë industrie po përdoret, cila është teknologjia, prej nga po vjen kjo, a paguhet doganë për këtë, a paguhet ndonjë rentë tjerë. Gjithçka duhet të jetë e certifikuar, e licencuar dhe akredituar”, ka thënë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Si hap fillestar, komisioni ka kërkuar një hulumtim rreth mënyrës se si është rregulluar kjo industri në rajon dhe vendet e BE-së.

Rezultatet e këtij hulumtimi do të ndihmojnë që kjo iniciativë të kthehet në ligj për këtë industri, të cilën Shala e quan sfidë problematike për ekonominë.

“Derisa nuk ka licencë, nuk ka bazë ligjore, nuk ka udhëzim administrativ, nuk ka akt tjetër legal, ekonomik, si mund ta trajtojmë të legalshme. Pra po insistojmë dhe do të insistojmë që të disiplinohet dhe institucionalizohet mirë ose hiç çështja e kriptovalutave”, ka thënë Shala.

Njohësi i fushës së prodhimit të kriptovalutave, Milot Mehmeti mirëpret nisjen e procedurave për hartimin e projektligjit, pasi thotë se të mirat e kësaj teknologjie janë të shumta.

“Krejt çka ju duhet institucioneve është me bashkëpunu me bankat sepse secila këmbimore e licencuar që është online dhe që ne tregtojmë përmes tyre na duhet me u verifiku aty si persona me dokumentet e identifikimit dhe me adresë. Kështu që krejt çka ju vyn është me i identifiku investitorët në mënyrë që me pa kush janë ata”, ka thënë Mehmeti.

Në kushtet e kontrollit minimal nga shteti, Mehmeti, i cili është një nga përdoruesit e kriptovalutave, thotë se ato nuk mund të përdoren për shpëlarje parash.

Kuvendi ka kërkuar që hulumtimi të fokusohet në praktikat e shteteve të avancuara që kjo industri të jetë në përputhje me ligjet vendore dhe ndërkombëtare të transferimit të parave dhe për parandalimin e pastrimit të parave.

Kategorizimi i kriptovalutave dhe format e taksimit janë po ashtu objekt i hulumtimit.