Është mirëpritur vendimi i SHBA-së për sanksione ndaj grupeve të krimit të organizuar, në mesin e të cilëve edhe Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij. Kryeministri i Kosovës ka thënë që këto grupe duhet edhe të hetohen e gjykohen edhe në Kosovë. Derisa, ministri i Infrastrukturës ka njoftuar që është duke u shqyrtuar kontrata me kompaninë e mirëmbajtjes së rrugëve që është në pronësi të Veselinoviqit. Sanksionet e SHBA-së janë mirëpritur edhe nga BE-ja e Mbretëria e Bashkuar.
Sanksionet e SHBA-së për grupin e Zvonko Veselinoviqit për krim të organizuar janë mirëpritur në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të kenë vend, jo vetëm në vendet e BE-së, por në çdo vend që aspiron që të bëhet anëtar i BE-së si puna e Kosovës.
“Ajo çfarë duhet të bëhet në vijim, e kjo është punë e jona, është që sistemi i drejtësisë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu te ne”, ka thënë Kurti.
Veselinoviqi i sanksionuar për krim të organizuar ka në bashkëpronësi kompaninë “RDA”, e cila ka kontratë valide për pastrim të rrugëve në veri të Kosovës. Lidhur me këtë, ministri i Infrastrukturës, ka thënë që kjo kontratë do të rishikohet.
“Jemi duke u marrë me këtë çështje, pas lajmit që e kemi marrë. Kjo kompani ka marrë tenderë edhe më herët. Nuk ka qenë asnjëherë në listë të zezë, mos me lanë me marrë tenderin këtë kompani, nuk ka pasur mundësi. Ata nuk kanë figuruar në listën e zezë të kompanive të papërgjegjshme. Tash si do të bëhet pjesë e asaj liste të zezë dhe çka do të bëhet me këtë kontratë jemi duke i shikuar mundësitë ligjore që janë dhe po e marrim seriozisht këtë çështje”, ka deklaruar Aliu.
Sanksionet e SHBA-së për Veselinoviqin dhe grupin e tij i ka përshëndetur edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, për vendimin e Shteteve të Bashkuara ka thënë se është në interes të të gjithëve.
“E mirëpres vendimin e SHBA-së për të vënë sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Thyerja e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është esencial për krijimin e hapësirës që politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interesin e të gjithë atyre që përfaqësojnë dhe jo të vetvetes”, ka thënë Abbott.
Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit, ka vënë sanksione ndaj disa rrjeteve të krimit të organizuar, në mesin e të cilëve është edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij, duke i bërë përgjegjës për trafikim të mallrave, të parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një komunikatë, kjo zyrë ka thënë se Zvonko Veselinoviqi dhe vëllai i tij, Zharko Jovan Veselinoviq, kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone.