Me tetë muaj vonesë Ministria e Financave ka arritur të finalizoj dhe miratoj rregulloren për vlerësimin dhe njohjen e statusit të personave parapelgjik e tetraplegjik, të cilën e paralajmëroj që nga dhjetori i vitit të kaluar. Në shoqatën “HANDIKOS” japin vërejtje për vonesë të saj porse shpresojnë që rregullorja e re do të sjellë vlerësime të drejta dhe reale.
Ministrisë së Financave iu është dashur më shumë se tetë muaj për të ndryshuar dhe miratuar rregulloren për personat paraplegjik e tetraplegjik, të cilën e paralajmëroi që nga dhjetori i shkuar.
Rregullorja e re synon të evitoj një sërë gabimesh dhe padrejtësish që u bënë deri më tash bazuar në atë që daton që prej shtatë vjetësh.
Paraqitja e kërkesës në formë elektronike, vizitat për vlerësim në shtëpi nga komisioni vlerësues, shuarja e komisionit mjekësor të Klinikës së Neurologjisë, kontraktimi i mjekëve nga Ministria e Financave e njohja e përhershme e statusit të personit paraplegjik e tetraplegjik dhe kujdestari personal pa iu nënshtruar rivlerësimit, janë disa nga ndryshimet që përmban rregullorja e re.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë tha se kjo rregullore adreson kërkesat, vërejtjet dhe mangësitë e rregullores ekzistuese.
“Akt nënligjor i cili synon që të sjell një procedurë shumë më të shkurtër, të saktë dhe llogaridhënëse të vlerësimit për personat paraplegjik e tetraplegjik duke evituar një varg veprimesh burokratike dhe duke siguruar një trajtim me më shumë dinjitet për këtë kategori..... Është procedura e vlerësimit e cila shkurtohet dhe vlerësimi duhet të kryhet më së largu deri në 45 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Është gjithashtu edhe evitimi i rivlerësimeve për dallim nga rregullorja e kaluar ku njohja e statusit për personat paraplegjik dhe tetraplegjik bëhej për 5 ose 3 vite dhe pastaj duhej rivlerësuar”, tha ai.
Në shoqatën “HANDIKOS” që prej vitesh kanë ngritur zërin për vlerësime jo të drejta dhe diskriminuese që është bërë ndaj personave paraplegjik dhe tetraplegjik e kanë mirëpritur rregulloren e re.
Drejtori Afrim Maliqi ka kritikuar ekzekutivin për vonesë.
“Ne kemi punuar këtë çështje më shumë se një vit, përshtatjen apo përditësimin e rregullores së re, ku besojmë se rregullorja e re do të jetë shumë më praktike, më e qartë dhe për të gjithë ata persona të cilët e marrin një herë vendimin nuk do të ketë më rivlerësim. Në fakt kjo rregullore ish dashtë të përfundoj qysh nga janari i këtij viti, kanë ndodhur këto vonesa dhe ne tash po presim që gjithsesi të ketë rregullorja edhe mjetin vlerësues i cili do të ua lehtësoj së pari fillimisht anëtarëve të komisionit vlerësues grupimin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik se në cilat grupe ata mund të hyjnë sipas vlerësimit të atij mjeti, duke e vlerësuar personin drejtpërdrejtë”, ka theksuar ai.
Që nga janari KOHA ka kërkuar qasje në draftet e rregullores, porse në Ministrinë e Financave nuk kanë ofruar qasje. Pavarësisht kërkesës, në këtë institucion nuk ofruan qasje as në versionin final të miratuar të mërkurën në Qeveri.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi për dallimet në vlerësim dhe në kategorizimin nëpër grupe, të personave me aftësi të kufizuara nga të dy komisionet, njëri në QKUK dhe tjetri në Ministrinë e Financave, që për pasojë kishte mohimin e kujdestarit personal e disa mjeteve financiare.