Arbëri

Miratohet Projektligji për bankat, Murati: Synohet rregullimi i aktivitetit bankar e financiar

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Foto: Alban Bujari

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur sot, është miratuar Projektligji për bankat, i cili synon rregullimin e aktivitetit bankar dhe financiar të bankave në Kosovë në funksion të nxitjes së një sistemi sa më të qëndrueshëm financiar.

Po ashtu, përmes këtij projektligji rregullohen kriteret për themelimin dhe licencimin e bankave, organizmin dhe menaxhimin e shëndoshë të tyre, mbikëqyrjen, rimëkëmbjen, përmbylljen dhe likuidimin e tyre.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ky projektligj përcakton masat përmirësuese dhe gjobat administrative që lidhen me procesin e rimëkëmbjes, përmbylljes dhe likuidimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja.

“Ky projektligj synon rregullimin e aktivitetit bankar dhe financiar të bankave në Republikën e Kosovës në funksion të nxitjes së një sistemi sa më të qëndrueshëm financiar, duke siguruar një nivel të duhur të mbrojtjes së interesave të depozitorëve. Gjithashtu përmes këtij projektligji rregullohen kriteret për themelimin dhe licencimin e bankave, organizmin dhe menaxhimin e shëndoshë të tyre, mbikëqyrjen, rimëkëmbjen, përmbylljen dhe likuidimin e tyre. Projektligji në fjalë përcakton edhe masat përmirësuese dhe gjobat administrative që lidhen me procesin e rimëkëmbjes, përmbylljes dhe likuidimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja…Ligji parashihet që të zbatohet vetëm për subjektet që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare por nuk zbatohet për institucionet mikrofinanciare dhe ato jo bankare të cilat është paraparë që të rregullohen me ligj të veçantë”, është shprehur Murati.

Ai ka potencuar se me miratimin e këtij ligji janë rritur kërkesat për kapitalin themeltar për bankat në 10 milionë euro nga 7 sa ishte me ligjin në fuqi.

“Janë rritur kërkesat për kapitalin themeltar për bankat në 10 milionë euro nga 7 sa ishte me ligjin në fuqi. Janë vendosur limite konkrete lidhur me transaksionet për personat të ndërlidhur me bankën dhe grupet e personave të ndërlidhur…Janë hartuar parimet për mbrojtjen e konsumatorit dhe shpalosjen e kushteve të afarizmit të bankave dhe është shtuar kapitulli i veçantë që rregullon rimëkëmbjen apo edhe përmbylljen e bankave në rast se është e nevojshme”, ka deklaruar Murati.


Qeveria miraton Udhëzimin administrativ për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës

Qeveria e Kosovës gjithashtu ka miratuar projekt-udhëzimin administrativ për bashkëpunimin e strukturave dhe mekanizmave institucionalë me organizatat joqeveritare për realizimin e politikave për të drejtat dhe ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se ky projekt-udhëzim përcakton mënyrat e bashkëpunimit të strukturave dhe mekanizmave institucional në organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që të sigurojmë zbatimin e plotë të politikave afirmative për mbrojtjen e fëmijëve dhe realizimin e të drejtave të tyre.

“Ky projekt udhëzim ka të bëjë me bashkëpunimin e strukturave dhe mekanizmave institucional me Organizatat Jo Qeveritare për Realizimin e Politikave për të Drejtat dhe Ofrimin e Shërbimeve për Mbrojtjen e Fëmijës. Përcakton mënyrat e bashkëpunimit të strukturave dhe mekanizmave institucional në organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që të sigurojmë zbatimin e plotë të politikave afirmative për mbrojtjen e fëmijëve dhe realizimin e të drejtave të tyre...Ka për qëllim që të gjejë rrugën më të mirë dhe më të favorshme për përfshirjen e fëmijëve në konsultime publike gjatë hartimit të politikave në fushën e të drejtave të tyre”, ka deklaruar Haxhiu.

Qeveria ka miratuar edhe Projekt-rregulloren për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për mbulimin e shpenzimeve për shërbimet edukative, shëndetësore apo rehabilituese për fëmijë me aftësi të kufizuar në një Komunë tjetër.

Haxhiu ka theksuar se ky projekt rregullore përcakton veprimet që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse me qëllim të sigurimit të gjitha shërbimeve edukative, shëndetësore apo rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara, në përputhje me nevojat specifike të tyre.

“Kjo projekt rregullore përcakton veprimet që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse, niveli qendror po ashtu edhe niveli lokal më qëllim të sigurimit të gjitha shërbimeve të edukative, shëndetësore apo rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara, në përputhje me nevojat specifike të tyre, përfshirë po ashtu edhe shpenzimet që duhet të mbulohen nga buxheti i të dyja komunave të cilat kanë marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e këtyre shërbimeve. Në bazë të kësaj rregullore, ashtu siç edhe e parasheh Ligji për mbrojtjen e fëmijës secila komunë ofron shërbimet edukative, shëndetësore apo rehabilituese për fëmijë me aftësi të kufizuara, qytetarë rezident të komunës së caktuar në përputhje me nevojat specifike të vetë fëmijës”, ka deklaruar Haxhiu./KP