Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, bashkë me amandamente.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore.
“Ky proces tashmë është i pakthyeshëm. Me këtë listë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Për herë të parë po përcaktohen rregulla për listën për barnat e rimbursueshme. Me këtë projektligj rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve. Ky është një moment vendimtar për vendin tonë për marrëdhënien qytetar-shtet. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse për qeverinë tonë. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje në shërbimet bazë shëndetësore duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale. Me këtë ligj shtohet edhe një burim i qëndrueshëm i rritjes së buxhetit të shëndetësisë publike. Në vend të kostove të papërballueshme për trajtime shëndetësore, sigurimi i detyrueshëm do të ndihmojë krijimin e në një mbrojtjeje financiare për qytetarët dhe do të reduktojë rrezikun e rënies nën pragun e varfërisë për shkak të shpenzimeve shëndetësore”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së, Burim Meta, ka kërkuar që në ligj të përfshihet sigurimi edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftë.
“Projektligji ka përjashtuar viktimat e dhunës seksuale gjate luftës që të lirohen nga pagesa e sigurimit shëndetësor si disa kategori të tjera. Ministër përfshijeni këtë çështje këtu përndryshe do të keni vështirësi ta merrni votën tonë”.
E, Vitia ka thënë se kjo gjë tashmë është adresuar dhe se Qeveria e ka përgatitur amendamentin. Ai ka theksuar se kjo kategori do të mbulohet nga shteti.
“Besoj që në Komision midis leximeve do të votohet ky amandament”.
