Arbëri

Miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën

Kuvendi

Foto: Alban Bujari

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen me Danimarkën për Shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze.

Bazuar në këtë marrëveshje Danimarka do të marrë me qira 300 qeli, ndërsa pritet që ato të jenë në burgun e Gjilanit. Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro.

Sipas marrëveshjes pasi të kenë vuajtur dënimin, të burgosurit do të dëbohen nga Kosova.

Kjo marrëveshje ka dështuar që të miratohen në Kuvend në seancën e mbajtur para një jave.

Ndërkohë që Qeveria e ka miratuar dhe përcjell për në Kuvend të hënën e kësaj jave.

Kuvendi në seancën e mbajtur të enjten ka miratuar edhe Marrëveshjen e bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”.

U miratua edhe Amendamenti i Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020, po ashtu edhe marrëveshja me OPEC-un.

Gjithashtu është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e amandamentit numër 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016.


Shtyhet sërish votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është shtyrë sërish. 

Deputetët nuk e kanë miratuar amendamentin e deputetit Visar Korenica, ku pati kërkuar të largohen pjesët që parashihnin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas). 

Shumica e votave në Kuvend për këtë amandament ishin në abstenim. 

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se projektligji do të hedhet në votim kur të ketë konsensus. 

Ndërsa, Kuvendi ka votuar në lexim të dytë Projektligjin për Verëra.


Zhvendoset e fundit pika për statutin e UP-së

Është zhvendosur si pikë e fundit e rendit të ditës në agjendën e Kuvendit shqyrtimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ajo fillimisht ishte pika e katërt e rendit të ditës, ndërkaq tash është vendosur pas pikave për marrëveshjet ndërkombëtare.

Universiteti i Prishtinës ka  bërë thirrje më herët që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë statutin e ri të UP-së.


Sërish në rend dite në Kuvend marrëveshja për burgjet me Danimarkën

Me propozim të partisë në pushtet është futur në rend dite në seancën e së enjtes, Projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Kjo marrëveshje ka dështuar që të miratohen në Kuvend në seancën e mbajtur para një jave. 

Ndërkohë që Qeveria e ka miratuar dhe përcjell për në Kuvend të hënën e kësaj jave.

Ndërkohë me propozim të Vetëvendosjes në rend dite në seancën e së enjtes në Kuvend janë futur edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për programin e parë për financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Projektligji për ratifikimin e amandamentit numër 2 të marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016.


Miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore.

Po ashtu, ka miratuar Projektligjit për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1.

Gjithashtu deputetët kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.


Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite edhe projektkodi i sjelljes për deputetët

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare. 

Njëra është vazhdim i seancës së jashtëzakonshme dhe pritet të nisë në orën 10:00. Në rend dite në këtë seancë është shqyrtimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë që në orën 10:30 pritet të nisë seanca e re e cila në rend dite ka 23 pika. 
Ndër të tjera pritet të shqyrtohet edhe projektkodi i sjelljes për deputetët. 

Gjithashtu në rend dite është edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti si dhe raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare. 

Rendi i ditës