Arbëri

Miq dhe kolegë të Bujarit vlerësojnë lart personalitetin e tij dhe veprën që la pas

I është dhënë lamtumira e fundit fotoreporterit Alban Bujari, i cili vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër. Që nga viti 1997 kur nisi punën në gazetën “KOHA Ditore”, me fotoaparatin e tij dokumentoi krimet e luftës, të kryera nga Serbia dhe ngjarjet më me peshë historike të pasçlirimit. Miq dhe kolegë të Bujarit e vlerësuan lart personalitetin e tij dhe veprën që la pas.

Ka vdekur në moshën 55-vjeçare fotoreporteri i KOHËS, Alban Bujari. 

Që nga viti 1997 kur nisi punën në gazetën “KOHA Ditore”, me fotoaparatin e tij dokumentoi krimet e luftës të kryera nga Serbia dhe ngjarjet më me peshë historike të pasçlirimit.

Në ditën kur i dhanë lamtumirën e fundit, miq dhe kolegë të Bujarit e vlerësuan lart personalitetin e tij dhe veprën që la pas.

Fotoreporteri Ridvan Slivova kujtoi kohët më të rënda të punës.

“Kemi bashkëpunuar edhe gjatë periudhave më të vështira, ku shpeshherë na ka ndodhur që të mposhtim frikën përmes njëri-tjetrit. Kur kemi qenë afër kemi qenë më të sigurt, ashtu na është dukur, e sot na mungon pikërisht në ditën e masakrës që ka ndodhur, ku i ka bërë edhe vet fotografitë”, kujtoi Slivova.

E fotoreporteri Visar Kryeziu tha se Bujari ishte kronist i shumicës së ngjarjeve historike të Kosovës.

“Ka qenë një profesionist që ia ka lakmi gjithkush, kronist i shumicës së ngjarjeve historike të Kosovës, me një sy të jashtëzakonshëm për të përcjellur ngjarjet deri te lexuesi edhe me një humor të sotistifikuat. Na ka bërë të gjithëve neve me qesh edhe në disa situata më të vështira”, tha Kryeziu.
Vdekja e Bujarit është përjetuar rëndë nga kolegët e redaksisë së KOHËS, në të cilën punoi që nga 1997-a.

Fotoreporteri Driton Paqarada tregon mësimin që mori nga ai, që në ditën e parë të punës.
“Nëse don të botohet fotografija në KOHË DITORE, para se me shkrep fotografinë duhet të mendosh, kështu që nëse dëshiron të botohen fotografitë në KOHË DITORE, mendo para se ta realizosh fotografinë dhe storjen. Albani më ka ndihmuar ta krijojë një mënyrë të fotografisë timen, kështu që vetëm mund t’i them Faleminderit Alban”, tha Paçarada.

Nga miqtë e mëdhenj që i pati është Afrim Vitia. Mes emocionesh, flet për temën që nuk e hapi kurrë me të.

“Jemi kanë shokë të ngushtë edhe kolegë, të pandashëm jemi kanë. Kemi bo llojlloj muhabetesh, lloj lloj tema, këtë tëmë nuk e paskëm qelë kurrë, lloj lloj muhabeti kemi ba, po qeta të vdekjës nuk e paskemi bo kurrë, vështirë”, u shpreh Vitia.

E, kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, e vlerësoi të pavdekshme veprën që e la pas Bujari.
“Albani ishte njëri prej nesh që u rritëm bashkë me “Kohën Ditore”, që të gjithë energjinë, vullnetin për punë, dashurinë për punë e çoi te raportimi përmes fotove, te argumentimi, te dokumentimi i asaj që po ndodhte në Kosovë. Një punë e cila është e pavdekshme”, tha Rexhepi.

Alban Bujari u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës, Arbëri. Ai la pas bashkëshorten dhe dy djem.


Përfaqësuesit politikë vlerësuan lart punën e fotoreporterit Alban Bujarit

Vepra e fotoreporterit Alban Bujari u vlerësua lartë nga gazetarë, përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive politike. Ata vlerësuan se fotografitë që shkrepi Bujari, portretizuan historinë, dhembjen, qëndresën dhe triumfin. 

Gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues politikë kanë vlerësuar lart kontributin e fotoreporterit të KOHËS, Alban Bujari, i cili vdiq të enjten vonë. 

Në një telegram ngushëllimi, Asociacioni i Gazetarëve e cilësoi humbje të madhe, vdekjen e Bujarit.
“Bujari ishte një ndër emrat më të shquar të fotoreportazhit në Kosovë, i cili e dokumentoi luftën e viteve 1997-1999. Përkushtimi dhe guximi i tij në dokumentimin që nga mediat vendore e deri tek ato më prestigjioze ndërkombëtare si Agjencia Evropiane e Shtypit (EPA), “The Guardian”, “El Pais”, “The Independent”, “Zeitung” e të tjera, u bënë dëshmi për botën mbi realitetin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit nga AGK-ja.

Atë e kujtuan edhe gazetarë e fotoreporterë të shumtë, të mediave në Kosovë dhe nga ato të rajonit.
E presidentja Vjosa Osmani e quajti arkiv të kujtesës e historisë, punën që la pas fotoreporteri Bujari.
“Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t’ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë. Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, ka thënë presidentja Osmani.

E kryeparlamentari Glauk Konjufca shkroi se fotografitë e Bujarit do të mbeten përherë dëshmi e krimeve të luftës në Kosovë.

“Si fotoreporter i përkushtuar i luftës, ai dokumentoi këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, duke i dhënë imazh ngarjeve e duke i dokumentuar ato. Aparati i tij i bëri më të dukshme krimet e Serbisë në Kosovë, ndërsa mediat e huaja e bënë më të njohur realitetin e luftës sonë përmes fotografive të tij”, shkroi Konjufca.

Vlerësim të lartë për punën e tij dhanë edhe kryetarët e partive opozitare.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se fotografitë e Bujarit portretizuan histori, dhembje, qëndresë dhe triumf. 

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se me artin dhe përkushtimin e tij, Bujari i dha zë historisë së Kosovës, duke e rrëfyer përmes imazheve dhimbjen, sakrificën, të vërtetën dhe aspiratat e popullit.