Arbëri

Ministrja Haxhiu intervistohet për deklaratat rreth Faton Hajrizit

Albulena Haxhiu

Ministrja Albulena Haxhiu është intervistuar nga Prokuroria Speciale për deklaratat e saj publike në lidhje me të implikuarit në arratisjet e fundit nga burgjet. Ajo është ftuar edhe për të martën në Prokurori. Ndërkaq, Serbia nuk i ka dhënë informata Kosovës për identitetin e të vrarit të premten, e që është raportuar të jetë i arratisuri Faton Hajrizi. Pas kësaj, Ministria e Jashtme është ankuar tek vendet e QUINT-it

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është intervistuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të  deklaratave publike lidhur arratisjet që kanë ndodhur nga burgjet e Kosovës.

“Intervistimi i së njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër”, thuhet në njoftim.

Dy ditë më parë, haxhiu shkroi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, paraprakisht e akuzoi Kosovën se organizoi aktin e vrasjes së policit serb dhe Hajrizit iu referua si “terrorist shqiptar”. Sipas tij, Hajrizi ishte pjesë e strukturave të Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë një ditë më parë se ka shumë gjëra të çuditshme në të gjithë historinë e Hajrizit, dhe se ai ishte i ndikuar nga shërbime të ndryshme.

“Hajrizi ishte nën ndikimin e agjencive të ndryshme. Shumë gjëra janë në pikëpyetje, por organet kompetente do ta bëjnë pjesën e tyre”, ka theksuar Vuçiq.
Por, ministrja Haxhiu i ka reaguar kësaj retorike, duke thënë se është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të përgatitura në Beograd që kanë perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike.

Serbia s’përgjigjet

Ndërkaq, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga autoritetet e Serbisë për identitetin e personit të vrarë në Serbi javën e kaluar, që supozohet të jetë Hajrizi.

MPJD-ja ka njoftuar se nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi, e po ashtu është kërkuar lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Kosovë dhe dorëzimin e tij te familjarët. 

Në një përgjigje të shkruar të MPJD-së, thuhet se është dërguar notë sqaruese te ambasadorët e vendeve të QUINT-it, nëpërmjet së cilës është theksuar se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë nuk është marrë asnjë përgjigje. 

“Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KOHËN. “MPJD ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”.

30 ditë paraburgim

E, krahas intervistimit të ministres Haxhiu, autoritetet e drejtësisë kanë ndërmarrë veprime edhe në raport me të arrestuarit që dyshohet se e ndihmuan Hajrizin, pas arratisjes.
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj dy të pandehurve H. Xh. dhe E. B., të cilët dyshohen për “dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve H. XH. dhe E. B. dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. 
Policia së fundmi ka arrestuar dy persona që dyshohen se e kanë ndihmuar Faton Hajrizin. 
Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për t’u bërë e nënta herë që arratisej nga burgjet e Kosovës. Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë.  

 


Prokuroria Speciale njoftoi se është intervistuar të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me deklarimet e saj për arratisjet e ndodhura së fundmi nga burgjet e Kosovës.

Prokuroria njoftoi se intervistimi i saj do të vazhdojë edhe nesër, e Haxhiu u tha se është intervistuar edhe për deklarimet e saj mbi diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të  deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin ‘Debat Plus’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social  Facebook të datës 20 Korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës. Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ditë më parë, ministrja Haxhiu ka deklaruar se sipas informacioneve, arratisjet nga burgjet janë organizuar dhe nxitur nga grupe kriminale “të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.