Arbëri

Ministritë e Drejtësisë në Kosovë e Shqipëri zotohen për realizim të marrëveshjeve të nënshkruara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Ulsi Manaj, ka thënë se është biseduar për të arriturat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Ajo ka thënë se bashkëpunimi me Shqipërinë është shumë i rëndësishëm.

Haxhiu ka thënë se dy qeveritë kanë historik të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë.

“E njoftova për reformat të cilat kanë nisur e disa janë edhe duke u zhvilluar. Adresuam shqetësimet e njëjta që kanë të bëjnë më dhunën në familje dhe në baza gjinore. Ne jemi të nderuar që kemi nisur punimet për realizimin e zotimeve tona të përbashkëta. Folëm edhe për jetësimin e tri nismave përmes së cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit po ashtu edhe të ndërmjetësuesit në shtetet përkatëse gjithashtu edhe njohja e provimit të jurisprudencës”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se kanë vullnetin e hekurt që të realizohen marrëveshjes mes dyja vendeve.

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja ka thënë se takimi i së martës, është shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët për të çuar përpara të gjitha marrëveshjet e nënshkruara.

Ai ka thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve fillon nga drejtësia.

“Sa i përket ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunim. Nuk ka më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të njëjtat të drejta në Shqipëri në bashkëpunim civil dhe tregtar. Do të kemi shumë shpejt edhe zbatimin e një marrëveshjeje sa u përket personave kosovarë të dënuar me dënime alternative në Shqipëri. Të njëjtit nuk do të paraqiten në gjykatat në Shqipëri, por do të mund të mbikëqyren nga ato në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë duke bërë të gjitha përpjekjet dhe shumë shpejt do të kenë rezultate konkrete për profesionet, siç janë avokatia e shërbimet tjera.

Ai ka thënë se zotimet që kanë bërë të dyja vendet nuk do të mbesin vetëm në letër.

Manaj i pyetur për Gjykatën Speciale, ka thënë se qëndrimi i tij është i qartë dhe nuk ka çfarë të shtojë diçka tjetër nga deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ai tutje ka thënë se qëndrimi i tij bazohet edhe në rezolutën që ka bërë Parlamenti i Shqipërisë për raportin e Dick Martyt.