Ministria e Punëve të Jashtme ka finalizuar projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, me të cilin parasheh edhe themelimin e pozitës së “Inspektorit diplomatik”, i cili do të inspektojë dokumentet zyrtare dhe intervistojë personelin e misioneve diplomatike. Përfaqësues organizatash të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mundësinë e abuzimit të politikës, përmes kësaj pozite, qoftë për shkarkimin ose ndryshimin e pozitave në shërbimin e jashtëm
Pozita e “Inspektorit diplomatik” është ndër ndryshimet e shumta që synon t’i bëjë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Ligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm. Në ligjin, i cili ishte miratuar vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, nuk ka ekzistuar një pozitë e tillë për të cilën kanë shprehur shqetësim organizata të shoqërisë civile.
Janë disa detyra që i janë përshkruar këtij funksioni.
“Detyrat e inspektorit diplomatik janë: inspekton objektet dhe punën e misioneve të Republikës së Kosovës; 4.1. inspekton dokumentet zyrtare, regjistrat dhe arkivat e misioneve të Republikës së Kosovës; 4.2. interviston personelin e misionit të Republikës së Kosovës për nevojat e inspektimit; 4.3. këshillon ministrin dhe sekretarin e Përgjithshëm lidhur me efektivitetin dhe efikasitetin e punës së misioneve të Republikës së Kosovës dhe etikën profesionale të nëpunësve të misionit; 4.4. u rekomandon ministrit dhe sekretarit të Përgjithshëm marrjen e masave të nevojshme, në rast se konstaton shkelje ligjore ose keqmenaxhim në misionin e Republikës së Kosovës; 4.5. kryen detyra të tjera sipas legjislacionit në fuqi”, shkruan në nenin 11 të Projektligjit.
Fushëveprimi i Inspektorit diplomatik është shumë i gjerë dhe s’ka kufij ligjorë të përcaktuar për të cilët është shprehur shqetësimi se mund të keqpërdoret në praktikë.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është ndër organizatat që ka deponuar komente mbi ligjin. Sipas saj, pa një përcaktim të qartë të kritereve të zgjedhjes dhe autorizimit, mund të ketë paqartësi ose abuzim me autoritetin në praktikë. Kjo organizatë ka argumentuar se kjo mund të vije më së shpeshti në shprehje kur ka ndërrim të ministrave, por edhe në rrethana normale në rastet kur ministrit “nuk i shkon për shtati” personeli diplomatik.
“Këtë e vërteton edhe fakti i kombinimit të këtij paragrafi me nënparagrafin 4.5 të këtij neni. Nuk dihet statusi (nëse është nëpunës civil i zgjedhur në bazë meritës) por edhe procedura e emërimit të inspektorëve diplomatikë. Detyrat e inspektorit diplomatik, rregullimet në nënparagrafët 4.1, 4.2 dhe 4.3 janë shumë të gjëra dhe cenojnë vetë natyrën e funksioneve diplomatike në shërbimin e jashtëm duke ditur diskrecionin e ligjshëm që kanë këto funksione. Rregullimet në 4.4 dhe 4.5 janë mjaft problematike dhe mund të keqpërdoren nga politika ditore për shkarkimin ose ndryshimin e pozitave të personelit në shërbimin e jashtëm”, shkruan në njërin prej komenteve të GLPS-së.
Naser Shamolli, hulumtues në këtë organizatë, ka folur për vërejtjet e dhëna gjatë procesit të draftimit të Projektligjit.
“Komentet tona janë fillimisht tek fushëveprimi, për faktin se në supozimin se ekzistojnë tashmë mekanizmat e vlerësimit të performancës ndaj tyre. Çështjet e tjera te ky element janë se si do të zgjidhen këta inspektorë, çfarë statusi do të kenë, a do të jenë nën menaxhim të ministres dhe në fund të ditës, cili do të jetë mekanizmi mbrojtës se këta inspektorë do ta bëjnë punën në pajtim me ligjin dhe nuk do të shfrytëzohen dhe keqpërdoren kur kemi ndërrime të ministrave të punëve të jashtme pasi mund të shndërrohet në mekanizëm për qëllime të caktuara”, ka thënë Shamolli.
“Ministria me gjasë nuk e ka pasur parasysh pasi kufizimet ligjore nuk janë të precizuara në mënyrë të saktë, vetë fushëveprimi i inspektimit është i paqartë dhe kur fut mekanizma të rinj duhet pasur parasysh edhe këtë element”.
Me draftligj po ashtu përcaktohet themelimi i “Këshillit për Politikë të Jashtme”, që mbështetur në detyrat të cilat u përshkruhen anëtarëve të kësaj trupe, nuk kanë ndonjë dallim të madh me ato që u përshkruhen këshilltarëve politikë në kuadër të kabinetit të ministrit.
“Anëtarët dhe kryesuesi i Këshillit emërohen nga Ministri. Ministri mund të pranojë propozime për anëtarë të Këshillit nga Sekretari i Përgjithshëm, shefat e misioneve diplomatike ose të posteve konsullore, si dhe nga personalitete ose organizata kredibile jashtë institucionit”, shkruan në draft-ligj. “Anëtarët e Këshillit janë ekspertë të pavarur dhe me përvojë të dëshmuar në çështje të politikës së jashtme dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa angazhohen në Këshill pa pagesë”.
Sa i përket “Imunitetit” të diplomatëve, me draftligj është përcaktuar se ai mund të hiqet me vendim të posaçëm të ministrit, rregullim që po ashtu konsiderohet problematik, pasi mund të keqpërdoret në praktikë.
“Meqenëse imunitetet dhe privilegjet garantohen me të drejtën ndërkombëtare dhe me marrëveshje reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe atij pritës, edhe ky rregullimi bëhet problematik dhe keqpërdoret në praktikë nga politika ditore”, është komenti i GLPS-së rreth këtij neni.
Vërejtje janë dhënë edhe për nenin 34 tek Kriteret për pranim të diplomatit të karrierës. Mes tjerash aty thuhet se nuk duhet të ketë lidhje familjare deri në shkallën e dytë me stafin e Ministrisë.
“Shumë kufizuese, në anën tjetër nuk është definuar nëse shkalla e dytë nënkupton atë direkte apo të tërthortë. Nuk është definuar se çka nënkupton stafi i ministrisë”, ka qenë komenti i GLPS-së për këtë nen.
Me ndryshimet e bëra, diplomatëve u mundësohet angazhimi edhe pas daljes në pension.
“1. Ministri, kur vlerëson se është̈ e nevojshme për Shërbimin e Jashtëm, mund t’i ftojë për angazhim ish-diplomatët e karrierës, të pensionuar ose që e kanë lënë shërbimin, për të shërbyer përkohësisht për një periudhë jo më shumë se katër (4) vjet, në funksione të caktuara, në të cilat vlerësohet se mund të japin kontribut për Shërbimin e Jashtëm”, shkruan në draft-ligj.
Por vërejtja që ka dhënë GLPS-ja është se duhet rishikuar se në çfarë cilësie mund të angazhohen personat e pensionuar pasi që të njëjtit nuk mund të kenë marrëdhënie të rregullt të punës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë treguar nëse do t’i marrin parasysh vërejtjet, para se drafti final i projektligjit të miratohet në qeveri.