Arbëri

Ministria e Financave s’ndan buxhet për të zgjidhur problemin me qentë

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka kritikuar Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për mosndarje të fondeve për strategjinë për qentë endacakë. Të dielën shoqata “Anikos” me bazë në Holandë ndau ushqim e ndihma të tjera në vlerë 250 mijë euro. U kritikua edhe mosangazhimi i komunave

Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Popullatës së Qenve me dhe pa pronarë ka ngelur në mëshirën e donatorëve, ndonëse si dokument është i miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 26 tetor 2022 dhe publikuar në Gazetën Zyrtare, që e bën zbatimin e saj obligues.

Në Planin e Veprimit të kësaj strategjie, për vitet 2022 deri më 2024, janë paraparë që të ndahen 9.8 milionë euro, por shuma e ndarë deri tash është zero.

Zbatimin e strategjisë e ka obligim Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zëvendësministri i këtij dikasteri, Arbër Vokrri, u ankua se Ministria e Financave nuk ia ka ndarë buxhetin e paraparë në këtë strategji, çka e ka shtyrë atë që me kërkesën për ndihmë t’iu drejtohet organizatave të huaja.

“Ne kemi pasur pritshmëri që së paku mjetet të cilat janë vlerësuar nga Ministria e Financave që mund të jepen për këtë strategji, të alokohen dhe të shfrytëzohen për atë që janë paraparë, gjë që deri tani nuk ka ndodhur përkundër insistimit tonë të vazhdueshëm qe 2 vjet”, ka thënë Vokrri.

Të dielën u ndanë ndihma në vlerë afro 250 mijë euro nga organizata “AniKos” me bazë në Holandë.

Sipas kryetarit të kësaj organizate, Sadri Sopi, për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë po mungon edhe angazhimi i komunave.

Sopi tha se në donacionin e së dielës përfshihen 23 tonë ushqim për kafshë, kafaze e batanije. E vlera e donacioneve të deritashme nga “Anikos” kap vlerën afro 1 milion euro.

“Nëse i sterilizojmë të gjithë qentë për 5 vjet, këtu s’do të ketë më qen. Sepse qeni i rrugës nuk jeton më shumë se 5 vjet. Andaj edhe një herë ju lutem komunave mos i ikni përgjegjësisë, është viti 2024, koha e vrasjeve, helmimeve ka kaluar”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Vokrri ka theksuar, po ashtu, se në Kosovë janë përafërsisht 20 mijë qen endacakë.

Ai tha se në rast të mungesës së veprimeve institucionale, gjatë vitit të ardhshëm numri mund të dyfishohet.