Arbëri

Ministria e Ekonomisë reagon ndaj artikullit “Propozimi për më shumë bllok-tarifa kundërshtohet nga shoqëria civile dhe ekspertët”

Rizvanolli

Në reagim ndaj raportimit të publikuar në portalin KOHA më 9 prill 2025, me titull: “Propozimi për më shumë bllok-tarifa kundërshtohet nga shoqëria civile dhe ekspertët”, Ministria e Ekonomisë ka për detyrë të sqarojë pretendimin e pabazë të përfshirë në po të njëjtin artikull dhe që dëmton integritetin e institucionit tonë. Ky artikull përmban shpifje lidhur me Ministrinë e Ekonomisë dhe ministren Artane Rizvanolli nën deklaratën e z. Ali Sefaj. Prandaj është me rëndësi që të qartësohet për publikun se propozimi i Ministrisë për shtim të bllok-tarifave nuk ka të bëjë fare me "fitime të KEDS-it" (ose me të hyrat e lejuara të kompanive), por ka të bëjë ekskluzivisht me atë se si shpërndahet barra e rritjes mes grupeve të konsumatorëve. Prandaj, duke konsideruar këto fakte, pretendimi i publikuar në artikullin në fjalë është teknikisht dhe logjikisht i paqëndrueshëm dhe i pabazuar.  Përtej kësaj, pretendimit të publikuar në citatin e z. Sefaj, titulli i artikullit në fjalë nuk është në përputhje me përbërjen e artikullit. Titulli cek që “shoqëria civile dhe ekspertët” kundërshtojnë propozimin për përshkallëzim të bllok-tarifave, ndërsa brenda në artikull përfshihen vetëm citatet e z. Sefaj dhe profesorit z. Ilir Hajdini, i cili flet për ndikimin e shqyrtimit tarifor në biznese, gjë që s’ka të bëjë fare me bllok-tarifat pasi ato aplikohen vetëm për amvisëri. Për transparencë të plotë, propozimi i Ministrisë për shqyrtimin e strukturës tarifore është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe është i qasshëm për publikun në uebfaqen e Ministrisë dhe në kanalet tona zyrtare.

 

 

KOHA e hapur për qytetarë, aktivistë, profesorë e ministra

 

Artikulli në fjalë i ka të gjitha palët, përfshirë ministren Rizvanolli nga intervista që ka pasur në KTV. Për hir të korrektësisë, KOHA e boton atë pjesë të reagimit të Ministrisë ku adresohet një çështje konkrete, që nuk është diskutuar në intervistë.

Ne mbesim të hapur për fjalën e qytetarëve, aktivistëve, ekspertëve, profesorëve, sikurse edhe për atë të zyrtarëve e ministrave, me qëllim të informimit të drejtë për të gjitha çështjet me interes të publikut. Megjithatë, nuk jemi adresë për zgjidhjen e akuzave dhe masave paralajmëruese për deklarime që konsiderohen të pabaza apo të pavërteta ndërmjet tyre.