Arbëri

Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë për mandarinat me pesticide: Nga 924 kamionë, 3 u kapën me parregullsi

Mandarinat dhe shëndeti

Foto: Ilustrim

Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ka dalë me reagim zyrtar pasi Bashkimi Evropian bllokoi disa ngarkesa me mandarina, të cilat përmbanin pesticide të ndaluara të përdorura nga kultivuesit.

Nga kjo ministri është thënë se nga 924 kamionë të eksportuar, vetëm tre ngarkesa janë konstatuar me probleme. Një prej tyre është kthyer dhe asgjësuar në Shqipëri, ndërsa dy të tjera janë trajtuar në Kroaci.

“Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori. Sipas njoftimit të Sistemit të Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë – RASFF për mbetje të pesticideve në mandarina të eksportuara nga Republika e Shqipërisë, AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet procedurale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer sëbashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme”, thuhet në reagim, raportoi "TCH".

Tutje bëhet e ditur se për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat.