Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët i ka akuzuar se kanë shtyrë persona të tjerë që të bëjnë deklarime të rreme.
Në një shkrim në
, Peci ka përmendur kryetarin e forumit të rinisë së LDK-së, Paris Gurin, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.Peci ka thënë se Guri, Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë dashur të konstruktojnë fabrikime se kanë përfituar grante në bujqësi me anë të ryshfetit.
“Me prova materiale e dëshmitarë! Kallxim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe të tjerëve! Sipas ekipit të ekspertëve tanë këta dhe LDK-ja konsumuan këto vepra penale si mashtrimi, shtytja në lajmërim apo kallëzim të rremë, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe shantazh! Të lartëpërmendurit, deshën të konstruktojnë fabrikime duke tentuar t'i shtyejnë fermerët të deklarojnë se përkrahja e marrë në mënyrë meritore, nuk ishte e tillë, por e përfituar me anë të ryshfetit! Njollosja e fermerëve meritorë e qeverisjes transparente, nuk kalon!” ka shkruar Peci.
Në reagim ndaj padisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetje për zyrtarët e saj që “si qytetarë të përgjegjshëm e si veprimtarë politikë të rinj dhe shembullorë, shpalosën skandalin e madh korruptiv të subvencioneve, ku grantet prej 100 mijë eurosh u ndanë për vëllezër, dajë e këshilltarë të pushtetarëve, me ndikim politik dhe shkelje ligjore flagrante”.
“Kallëzimi i tyre penal ngjalli frustrim. Prandaj ata targetohen sot nga një pushtet i korruptuar dhe kriminal që po ikën. Paratë e keqpërdorura do të kthehen cent më cent; e të përfshirët do të mbahen përgjegjës para ligjit të Republikës sonë. 9 shkurti po vjen. Po u vjen fundi zhvatjeve dhe korrupsionit qeveritar. Ndryshimi po vjen”, thuhet në reagim të LDK-së.
Guri më 19 nëntor ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Peci duke e akuzuar për keqpërdorim të parasë publike, pasi vëllai dhe daja i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacoli, kishin marrë grante nga kjo ministri.
Pas akuzave publike nga LDK-ja, ministri Peci pati thënë se ndaj tij po bëhet fushatë linçuese e propagandë duke shtuar se s’ka ndikuar në dhënien e granteve. Pacolli, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj atyre “që kanë shpifur e kanë bërë akuza pa bazë”.