Në krizën më të madhe ekonomike që ka përjetuar Kosova prej pasluftës, Qeveria ka vendosur që qytetarëve t’ua rrisë çmimet e tarifave që kanë të bëjnë me regjistrimin e pronësisë. Tarifat e fryra janë listuar në një Udhëzim Administrativ, të cilin dy javë më parë e ka firmosur ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.
Në këtë dokument janë përfshirë 50 shërbime të ndryshme, për pjesën më të madhe të të cilave qytetarët duhet të paguajnë më shtrenjtë se deri tashti, raporton KOHA.
Ministri Kuçi ka refuzuar të arsyetojë nxjerrjen e këtij dokumenti, me efekt negativ në xhepin e qytetarëve.
Ndërkaq, kabineti i tij ia ka përcjell KOHËS një përgjigje të përgatitur nga Agjencia Kadastrale, sipas së cilës nuk bëhet fjalë për rritje tarifash.
“Me krahasimin e këtyre dy Udhëzime, mund të konstatohet se në të gjitha shërbimet nuk ka pasur ngritje tarifore, por gjithmonë jemi munduar në thjeshtësimin e shërbimeve dhe unifikimin e tyre”, thuhet në këtë përgjigje.
Por, fryrjet e çmimeve janë lehtë të vërejtshme.
Në pjesën që ka të bëjë me regjistrimin e të drejtës së pronësisë në bazë të vlerës së transaksioneve, Udhëzimi Administrativ i mëparshëm përmbante tarifat nga 20 deri në 300 euro, ndërsa me këtë të firmosur nga ministri Kuçi këto tarifa gati janë dyfishuar. Ato shkojnë deri në 500 euro.
Në Kabinetin e ministrit Kuçi kanë mundur të justifikojnë vetëm rastet kur rritja e tarifave ka shkuar për 10 euro më shumë.
“Përcaktimi i tarifave në shumën prej dhjetë (10) euro më lartë se ato në Udhëzimin e shfuqizuar arsyetohet me dispozitën e Nenit 21 të Udhëzimit në fuqi, ku parashihet dhënia falas e certifikatës pronësore dhe kopjes së planit, të cilat kushtojnë nëntë (9) euro. Kësaj gjithashtu mund t’ia shtojmë kursimin e kohës dhe shmangien e procedurave të dyfishuara, pasi që në mungesë të kësaj dispozite, më parë palët kanë qenë të obliguar që të riaplikojnë për certifikatë pronësie apo kopje plani”, thuhet në përgjigje. “Kjo nënkupton se këtu kemi bërë grumbullimin e shërbimeve në një shërbim, e jo ngritje të nivelit të tarifave”.
Por, kur krahasohen të dyja dokumentet, rezulton se me udhëzimin administrativ të ri janë shtuar edhe shërbimet. I vjetri përmban të listuara rreth 30 tarifa, ndërsa udhëzimi i ri i nënshkruar nga Kuçi i ka 50 sosh.
Agjencia ka përmendur tri raste, në të cilat janë bërë lehtësime, sikur te rasti i regjistrimi i qirambajtjes sipas vlerës së pronës së privatizuar, e jo tarifë fikse siç ka qenë më parë, 500 euro. Por, edhe në bazë të udhëzimit të ri, tarifat e së njëjtës kategori shkojnë deri në vlerën 500 euro.
Mes tjerash, me udhëzimin që tash është nxjerrë, është dyfishuar edhe tarifa për regjistrimin e pronësisë nga secili anëtar, pas shkëputjes së bashkësisë familjare.
Dispozitat e udhëzimit të ri administrativ janë të obligueshme për Agjencinë Kadastrale, Zyrat Kadastrale Komunale dhe parashtruesit e kërkesave për regjistrimin e të drejtave pronësore.