Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtorit të ndërmarrjes “Sport-Marketing” në Prishtinë, Bardh Krasniqi, për organizim të tregut dimëror “Verë n’Dimër”.
Në padinë e siguruar nga KOHA, ministri ka thënë se Ministria që ai udhëheq ka vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi. Komuna e Prishtinës, siç ka thënë ai, ka vazhduar me organizimin e festivaleve “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë” pavarësisht vendimit të rrëzuar nga Ministria.
Në arsyetim, ministri ka thënë se Rama me dashje nuk e ka pritur vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Ministrisë. Ai i ka akuzuar Ramën e Krasniqin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Paraprakisht, Bardh Krasniqi, kryeshef i ndërmarrjes “Sport & Marketing” e pati quajtur politik vendimin e MAPL-së.
Festivali “Verë n’Dimër” veçse ka nisur. Janë vendosur dhjetëra shtëpiza në sheshet kryesore.
Shtëpizat që janë në shërbim të gastronomeve, për 45 ditë kanë kushtuar 3900 euro.
Festivali i dimrit pritet që të zgjasë deri më 15 janar të 2025-s.