Ministri i Drejtësisë së Danimarikës, Peter Hummelgaard, ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Gjilan në përcjellje të ministres Albulena Haxhiu, aty ku do të vendosen 300 të dënuar nga Danimarka.
Hummelgaard ka thënë se shteti i tij është falënderues për Kosovën për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për të dënuarit e saj.
“Ne tani kemi ardhur në Kosovë për ndihmë për shfrytëzimin e kapacitetit të burgjeve kosovare. Kjo është ndihmë e madhe për Danimarkën... kjo vizitë shënon zbatimin praktik të projektit. Sot kemi nënshkruar kontratën me kontraktuesin që do të rinovojë objektet këtu në Gjilan”, ka thënë ai.
Ministrja Haxhiu ka thënë se marrëveshja do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe ka njoftuar se janë ndarë fondet për rinovimin e burgut në Gjilan.
“Sot shpreha gatishmërinë e Qeverisë se do të adresojmë të gjitha përgjegjësitë që i kemi. Jemi shtet serioz, jemi vend demokratik, prandaj është e rëndësishme që zotimet që i marrim t’i adresojmë si duhet”, ka thënë ajo.
E, drejtori i Shërbimit Korrektues, Ismajl Dibrani, ka treguar për planin se si do të shndërrohet kjo qendër.
“Këtu do të ndërtohen disa punëtori të cilat do shërbejnë për punësimin e të dënuarve. Sot kjo është qendër e paraburgimit sepse është e destinuar për të paraburgosur. Në momentin që kjo qendër i dhurohet në shfrytëzim shtetit danez kjo do shfrytëzohet si qendër korrektuese rehabilituese dhe natyrisht se duhet të ndryshojë destinimi, duhet të ketë më shumë hapësira, vende të punës për të burgosur”, ka thënë Dibrani.
Në kuadër të marrëveshjes, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh. Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje.
Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit.
Kuvendi i Kosovës më 23 maj miratoi marrëveshjen për burgjet me Danimarkën pasi disa vonesash. Për 10 vjet, Danimarka do t’i shfrytëzojë 300 qeli të burgut në Gjilan. Kosova do të marrë 210 milionë euro. 300 të burgosur emigrantë nga Danimarka do ta vuajnë dënimin në Kosovë.
Sipas Marrëveshjes, të burgosurit nga Danimarka do të dëbohen nga Kosova pasi që ta kenë vuajtur dënimin me burgim.