Ministri i Infrastrukturës, Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Liburn Aliu ka dhënë detaje për ndërtimin e vilës së Milan Radoiçiq te liqeni i Ujmanit.
Ai duke iu kundërpërgjigjur akuzave të deputetëve opozitarë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, kur u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, u krijuan kushtet për vendosjen e rregullit të plotë në veri.
“Lidhur me shtëpinë e Radoiçiqit. Disa raporte thonë se ka filluar më herët, ka vazhdu në kohën kur kemi qenë ne në qeverisje...Po supozojmë se shtëpia është ndërtu në kohën kur kemi qenë ne në qeverisje. Po ju them jo vetëm shtëpia e Radoiçiqit, por ka shumë e shumë punë tjera që strukturat paralele serbe atje i kanë bë...Derisa s’ka ndodhur Banjska strukturat paralele jo që kanë ndërtu, po e kanë ndërtu edhe Kodrën e Diellit e shumë e shumë gjëra tjera, të cilat shteti i ynë si ka pasur nën kontoll. Kjo gjatë mandatit tonë por edhe mandateve të mëhershme. Në mandatin e mëhershëm është ndërtu Kodra e Diellit, ka pasur ndërtime pa leje e me leje kudo, ka vazhdu edhe gjatë mandatit tonë në fillim, derisa në mënyrë graduale kemi punuar për të vendosur infrastrukturën atje, për të vendosur bazat policore e është futur policia. Ka ndodhur në fund Banjska dhe pas Banjskës u krijuan kushte me vendosur rregull të plotë dhe me shku me ndal vilën e Radoiçiqit”, ka thënë Aliu në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se në fillim të mandatit në veri ka shkuar me përcjellje policore, porse tash s’ka nevojë për këtë dhe shkon me veturë zyrtare vetëm me shofer.
