Arbëri

Minatorët pensionistë ankohen për largimin nga zyra në Prishtinë

Përfaqësues të Shoqatës së minatorëve pensionistë kanë shprehur pakënaqësitë në menaxhmentin e “Trepça”, që ka vendosur t’ua marrë zyrat në Prishtinë dhe t’i transferojë në Kishnicë. Sipas përfaqësuesve të shoqatës, mosha ua pamundëson anëtarëve t’i vizitojnë zyrat kilometra larg Prishtinës

Për 4 vjet, punën si kryetar i Shoqatës së Minatorëve Pensionistë, Bedri Rexhepi e kreu brenda zyrës së një objekti në Prishtinë.

Por, thotë se ai dhe aktivistë të tjerë të shoqatës prej më shumë se 3 javësh u larguan nga zyrat nga zyrtarë të ndërmarrjes “Trepça”.

“Arsye nuk kanë. Arsyeja është vetëm me na mbyll gojën, që ne mos me qenë të informuar si me minatorë, sepse neve na u lejohet që t’i menaxhojmë dhe kontrollojmë edhe pronat e Trepçës. Kanë ardhë në mënyrë arbitrare dhe na kanë thënë se duhet me e liru zyrën”, ka thënë Rexhepi.

E në ndërmarrjen “Trepça” thonë se kërkesën për lirimin e kësaj prone e kanë bërë muajin e kaluar, meqë Shoqata e Minatorëve Pensionistë nuk ka marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirës. 

Sipas tyre, zyrat e Shoqatës do të transferohen në Kishnicë.

“Më 28.2.2025 kemi kërkuar lirimin e kësaj prone brenda 10 ditëve pune dhe e kemi dërguar shkresën përkatëse për lirimin e zyrës së drejtorisë së Kishnicës në Prishtinë, konkretisht z. Bedri Bunjakut. Trepça u ka ofruar shfrytëzuesve të zyrës kushte të barabarta me punëtorët e tjerë, duke përfshirë: Shfrytëzimin e një zyre në Kishnicë, Transport ditor falas nga Prishtina në Kishnicë dhe anasjelltas, ushqim në mensën e Kishnicës”, thuhet në një përgjigje të ndërmarrjes.

Në Shoqatën e Minatorëve Pensionistë e kundërshtuan këtë përcaktim të menaxhmentit të Trepçës, pasi thanë se mosha ua pamundëson anëtarëve t’i vizitojnë zyrat kilometra larg Prishtinës.

“Cili minator vjen atje, në çfarë gjendje janë ata me ardhë (në Kishnicë)? Edhe këtu në Prishtinë kur kanë ardhë, i kanë sjellë për krahësh shumicën. Nuk mundemi me shku në Kishnicë. Ne u japim shumicës librezat për kontrollet e tyre shëndetësore të minatorëve”, ka thënë Rexhepi.

Shoqata e Minatorëve Pensionistë është themeluar në mars të 2005-s.